Pamja e kudondodhur e pasluftës në Prishtinë e qytete të tjera ishte ajo e makinave të bardha që mbanin mbishkrimin ‘UN’. Ky mision paqeruajtes, i autorizuar nga Këshilli i Sigurimit në emër të Rezolutës 1244, e kishte marrë përsipër administrimin civil të Kosovës së dalë nga tmerret e luftës. Dikur kishte pasur 10,225 punonjës, kurse sot ka sall 374 vetë. Por, Amerika e Trumpit është më e vendosur se kurrë që ky mision të largohet sa më parë nga Kosova. “Mision paqeruajtës pa paqeruajtës” dhe “mision që harxhon buxhet vetëm për pagat e punonjësve të vet”, e ka cilësuar përfaqësuesi i ShBA në Këshillin e Sigurimit, John Kelley. Çuditërisht, kryeministri Albin Kurti për katër vjet sa ishte në pushtet asnjëherë nuk e zëroi kërkesën e tij të moçme që ky mision të largohet nga Kosova. Brenda këtij misioni që thirret në Rezolutën 1244 ka pasur raste kur kanë vepruar edhe zyrtarë të inteligjencës ushtarake ruse (GRU). Vetëm nga 1 janari 2015 deri më 31 maj 2016, sipas vetë OKB-së, UNMIK-u është përfshirë në 83 raste të shkeljes së të drejtave të njeriut në Kosovë.
Col Mehmeti
Administrata e Trumpit nuk ka nge më për UNMIK-un dhe prej tij kërkon që të largohet nga Kosova.
Kjo kërkesë pa dykuptimësi është zëruar në mbledhjen e djeshme të Këshillit të Sigurimit kushtuar Kosovës.
Sipas përfaqësuesit në detyrë të Shteteve të Bashkuara, John Kelley, ka ardhur koha që misioni i Kombeve të Bashkuara në Kosovë të tërhiqet.
“Ne e njohim udhëheqjen tuaj dhe përpjekjet e dikurshme të UNMIK-ut në Kosovë për të fuqizuar dialogun dhe reformat ligjore. Por, ka ardhur koha që të tërhiqet UNMIK-u. Ne rekomandojmë që UNMIK-u të fillojë të bartë funksionet e tij në agjencitë e tjera në terren të Kombeve të Bashkuara që janë më të përshtatshme për këtë punë, ashtu që procesi drejt mbylljes përfundimtare të misionit të jetë i menduar dhe gradual më shumë sesa i papritur”, ka thënë Kelley.
“Një mision paqeruajtës pa paqeruajtës”
Diplomati amerikan në Kombet e Bashkuara ka përkujtuar se Shtetet e Bashkuara janë të vendosura për të çrrënjosur shpenzimet e panevojshme në organizata ndërkombëtare.
“UNMIK-u është mision paqeruajtës pa paqeruajtës, me 81 për qind të buxhetit të tij që shkon për paga të stafit, edhe pse misioni prej kohësh e ka kaluar mandatin e vet të dikurshëm. Shtetet e Bashkuara u bëjnë thirrje anëtarëve të tjerë në Këshill që ta rishikojnë mandatin e UNMIK-ut, ashtu që bashkërisht të mund të fillojmë heqjen e rregullt të operacioneve të tij. Koha për të filluar këtë tranzicion është zvarritur.”
Ai ka përsëritur qëndrimin e mëhershëm amerikan se UNMIK-u tashmë nuk ka rol qeverisës në Kosovë, dhe se “misioni mbetet i mbingarkuar e me staf të tepërt”.
Kërkesa tjetër amerikane ishte që takimet e tilla në Këshillin e Sigurimit të jenë të mbyllura, ashtu sikurse edhe të mbahen një herë në vit.
“Sa u përket takimeve të ardhshme për UNMIK-un, ne fuqimisht kërkojmë që ato të jenë takime me dyer të mbyllura, meqë një format i mbyllur do të ushqente një diskutim më të sinqertë e më pak performativ. Ne po ashtu besojmë që këto takime duhet të pakësohen në takime vjetore”, ka thënë mes të tjerash Kelley.
Eckersley: Të rishikohet roli i UMMIK-ut
Kërkesa pakashumë të ngjashme ka pasur edhe përfaqësuesi i Mbretërisë së Bashkuar në Këshillin e Sigurimit, Fergus Eckersley.
Ai, me këtë rast, ka shprehur në emër të shtetit të tij mirënjohje për përfaqësuesen dhe stafin e misionit që kanë kontribuar për kaq vite.
“Megjithatë, me gjendjen në terren tani krejt të ndryshme prej asaj më 1999, siç e kemi thënë dhe më parë, ne besojmë se është koha që Këshilli ta rishikojë rolin dhe përgjegjësitë e UNMIK-ut për të siguruar që ai mund të vazhdojë efektivisht të mbështesë sigurinë, stabilitetin dhe të drejtat e njeriut në Kosovë, në një mënyrë që pasqyron botën e 2025-s”, ka përfunduar Eckersley.
Një mision që filloi me Rezolutën 1244
Misioni i Administratës së Përkohshme të Kombeve të Bashkuara në Kosovë, i njohur përgjithësisht me akronimin UNMIK, ishte mandatuar me Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit për të siguruar jetë paqësore e normale për të gjithë njerëzit në Kosovë.

Ingerencat e tij ekzekutive e administrative ishin bartur vazhdimisht te institucionet vendore, proces ky që u rrumbullakësua më 2008 kur vendi ynë u pavarësua dhe u njoh si i tillë nga shumica e vendeve perëndimore.
Bartja e kompetencave të tij ishte dydrejtimëshe: përveç te Misioni Evropian për Sundimin e Ligjit (EULEX), edhe te institucionet shtetërore të Kosovës së pavarur.
Pakësimi i stafit
Viti 2000 konsiderohet si kulmi i UNMIK-ut kur zyrtarisht brenda vetes numëronte 10,225 personel (nga të cilët 38 ishin oficerë ndërlidhës ushtarakë, 4718 policë civilë, 1339 staf ndërkombëtar, 3927 staf vendor, si dhe 203 vullnetarë të Kombeve të Bashkuara).
Këtë numër e kishte ruajtur gati të njëjtë edhe për vitin pasues (10,147), kurse më 2002 kishte rënë në 9,737; më 2003 kishte 9,070; më 2004 kishte 8,056; më 2005 kishte 6,546; më 2006 4979 punonjës, dhe më 2007 vetëm 4920.
Sipas të dhënave zyrtare të afishuara në faqen e vet zyrtare, UNMIK-u sot ka një numër pakrahasimisht më të vogël të personelit të vet me 374 punonjës, përfshirë 356 vetë si personel civil (112 vetë staf ndërkombëtar; 220 staf vendës; 24 vullnetarë të Kombeve të Bashkuara) dhe 18 persona të uniformuar (8 vëzhgues ushtarakë; 10 oficerë policorë të Kombeve të Bashkuara).
Shkurtimi i këtij misioni për 70 për qind ishte pjesë e planit të ish-Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Ban Ki-Moon – procesi i rikofigurimit ishte shpallur më 26 qershor 2008.
ShBA, kritike e përhershme e UNMIK-ut
Aleatja e Kosovës dhe shqiptarëve, Shtetet e Bashkuara, kishin mirëpritur vendimin e Sekretarit të Përgjithshëm, duke argumentuar se UNMIK-u duhej t’iu përshtatej realiteteve të reja në Kosovën e pavarur.
Ç’është e vërteta, Shtetet e Bashkuara prej së paku një dekade janë kthyer në kritike të rrepta të të ashtuquajturave misione paqeruajtëse të Kombeve të Bashkuara.
Si anëtare e përhershme e Këshillit të Sigurimit, ShBA është hisedarja më e madhe e buxhetit të misioneve paqeruajtëse të OKB-së.
“Paqeruajtja nuk duhet të jetë operacion i përhershëm”
Në një analizë shteruese të Brett Schaefer, misionet e OKB-së përgjatë një dekade të tërë janë shquar prej mangësive serioze, kufizimeve dhe dobësive gjithfarëshe.
Ai ka përmendur se, si UNMIK-u në Kosovë, misione ekuivalente të Kombeve të Bashkuara ka në Indi e Pakistan, në Qipro, Siri, Liban dhe Saharanë Perëndimore.
“Në fund, rrethanat që i përshkojnë shumicën e këtyre situatave janë praktikisht identike me ato siç kanë qenë kur janë themeluar këto operacione paqeruajtëse apo janë zgjatur kur ato do të duhej të përfundonin për arsye politike. Ka arsye se qëndrimi është një rezultat pozitiv: fundja, shumica e situatave në fjalë nuk po përkeqësohen”, ka shkruar Schaefer.
“Por pas dy, tre, katër, pesë apo gjashtë dekadave të qëndrimit, është koha të riekzaminohen këto misione për të përcaktuar nëso ato mund t’i zgjidhin situatat e tyre përkatëse. Paqeruajtja nuk duhet të jetë operacion i përhershëm, por një përpjekje e përkohshme e përqëndruar në adresimin e problemeve kritike, fuqizim të kapacitetit të brendshëm (jo zëvendësim të tij), dhe largim sa më praktik për të mundësuar që burimet e kufizuara të kalojnë në kriza më urgjente.”
Rusia, mbështetësja kryesore e UNMIK-ut
Nga 2008 e deri më sot, Rusia ka qenë faktori i vetëm që e ka bërë të mundur qëndrimin e UNMIK-ut në Kosovë, pavarësisht vullnetit të Perëndimit për ta larguar dhe mbyllur këtë mision.
Përfaqësuesit rusë në Këshillin e Sigurimit në vazhdimësi e kanë bllokuar shfuqizimin ose ndryshimin e Rezolutës 1244 – intrasigjenca ruse ishte e tillë sa e pengonin bartjen e kompetencave edhe te EULEX-i.
Sipas qëndrimit zyrtar rus, UNMIK-ut dhe qeveria e Serbisë ishin të vetmet autoritete legjitime për Kosovën sipas Rezolutës në fjalë.
Rritja e ‘relevancës’ së OKB-së
Përmes aleatëve të saj në Këshillin e Sigurimit, Rusia përpiqej t’ia pamundësonte Sekretarit të Përgjithshëm bartjen e kompetencave të UNMIK-ut te EULEX-i, madje duke kërkuar që i pari të mbante kompetenca ekzekutive e legjislative për një periudhë të pacaktuar kohore.
Sipas Lance Davies, njohës i raporteve ruso-evropiane, Moska vazhdimisht ka kundërshtuar largimin e UNMIK-ut apo pakësimin e kapacitetit të tij, meqë, sipas pozicionit rus, “Kosova mbetet jostabile dhe misioni mbetet mjet kritik për mbikëqyrje ndërkombëtare.”
Duke përfituar nga stagnimi politik në Kosovë, sipas Davies, “Moska i ka instrumentalizuar këto çështje për të promovuar relevancën e vazhdueshme të rolit të Kombeve të Bashkuara…”
Edhe GRU-ja ruse veproi brenda UNMIK-ut
Përfaqësuesit e UNMIK-ut nuk kanë ngurruar në vijimësi që të bëhen avokatë të strukturave paralele serbe në veri të Kosovës.
Edhe kur Kosova ishte bërë e pavarur, stafi policor e ai civil i UNMIK-ut kishte penguar banorët shqiptarë që të rikthehen në veri.
Në raportimet për Kosovën në Këshillin e Sigurimit, dosja e përfaqësuesve të UNMIK-ut shpesh ka qenë e ngjashme me diskursin e Beogradit.
Përtej kësaj, zyrtarët e UNMIK-ut me raste ishin kthyer edhe në kërcënim të hapur ndaj sigurisë së Republikës së Kosovës.
Ky mision ishte kthyer në shtrojerë të agjentëve e spiunëve rusë.
Kur më 2021 Kosova kishte shpallur ‘non grata’ Andrei Nikolayevich Antonov, mediume si The Geopost e Istraga.ba kishin zbardhur emrat e plot oficerëve të inteligjencës ushtarake ruse (GRU) që vepronin si punonjës të UNMIK-ut.
Sipas njoftimeve të këtyre mediumeve, emrat e tyre ishin: Igor Kulga, Olga Mokrova, Vyacheslav Gannenko dhe Alexander Kasatkin.
Kurti i harroi fjalët e tij kundër UNMIK-ut…
Interesante për t’u vënë re është se prej ardhjes në pushtet të Vetëvendosjes, kërkesa për largimin e UNMIK-ut thuajse nuk ka pasur fare.
Në takimin e paradovitshëm mes kryeministrit Albin Kurti dhe ish-shefit të UNMIK-ut Zahir Tanin, ishte folur për pandeminë e COVID-19, për përmirësimin e marrëdhënieve mes komuniteteve dhe normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë.
Por, Kurti nuk kishte bëzajtur fare për kërkesën e kahershme të tij që ky mision të largohet nga Kosova.
Ai nuk ia kishte përcjellur shefit të UNMIK-ut as shqetësimet serioze se ky mision është përfshirë jorrallëherë në shkelje serioze të të drejtave të njeriut.
Paneli Këshillimor për të Drejtat e Njeriut në OKB (HRAP), në raportin e 2016-s, kishte dritësuar faktin se UNMIK-u ka kryer shkelje të të drejtave të njeriut në 83 raste nga 88 sosh sa qenë shqyrtuar për periudhën 1 janar 2015 – 31 maj 2016.
Përndryshe, HRAP ka pranuar një gjithsejt prej 527 rastesh nga viti 2006 deri më 2010.
Një trashëgimi e tradhtuar
Në të vërtetë, Lëvizja Vetëvendosje, e themeluar më 12 qershor 2005, kishte lindur me një aksion simbolik në muret e UNMIK-ut ku ishte kërkuar largimi i këtij misioni paqeruajtës.
Nga ajo kohë e deri më 2008, ky organizim politik kishte shkruar mijëra parulla nëpër qytete e fshatra kundër UNMIK-ut.

Kreu i Vetëvendosjes, Albin Kurti, nga pozita e aktivisit të një lëvizje antiestablishment e ‘grassroot’, argumentonte se prania e UNMIK-ut pamundësonte vetëvendosjen politike të popullit të Kosovës.
Sipas vizionit të tij ashiqare të gabuar, UNMIK-u do të qëndronte ad perpetuum në Kosovë, madje nuk ngurronte ta quante atë si mision “neokolonizator.”
Ky diskurs do të mbërrinte zenithin e vet me protestën e mbajtur me 10 shkurt 2007, një ballafaqim me kontigjentet rumune, polake, ukrainase e italiane të policisë së UNMIK-ut që la të vdekur qytetarët Mon Balaj e Arben Xheladini si dhe të plagosur dhjetra të tjerë.