Mbi një mijë njerëz vetëm brenda 24 orëve janë shprehur të interesuar që t’i bashkohen protestës së thirrur për 29 janar nga PSD-ja kundër shtrenjtimit të energjisë elektrike. E për ta kontrolluar më lehtë revoltimin e qytetarëve, kryeministri Kurti po tregohet tinëzar, duke i ndaluar pak para protestës grumbullimet me mbi 50 persona.
Qeveria e Kosovës ka miratuar masat e reja anti-Covid, të cilat do të hyjnë në fuqi nga dita e nesërme deri më 4 shkurt 2022
Masat e vendosura nga Qeveria e Kosovës përfshijnë plot 80 pika, por një prej tyre tërheq më shumë vëmendje. Bëhet fjalë për pikën 29, e cila ndalon grumbullimet në ambiente të jashtme për mbi 50 persona.
“Lejohen grumbullimet dhe ngjarjet kulturore në ambiente të jashtme deri në 50 persona. Organizatori obligohet të sigurojë mbajtjen e distancës fizike prej 1 metër në mes të personave dhe paraqitjen e dëshmive të evidentuar në pikat 26.1 dhe 26.2 përveç pjesëmarrësve nën moshën 12 vjeçare”, thuhet në këtë pikë të vendimit të Qeverisë.
Një vendim i tillë vjen vetëm një ditë pas thirrjes së protestës nga Partia Socialdemokrate, ku deri më tani është vërejtur rritja e interesimit të qytetarëve për të marrë pjesë.
Kosovarët janë të shqetësuar për shtrenjtimin e energjisë elektrike dhe pritet t’i bashkohen protestës së thirrur më 29 janar, në orën 14:00, e cila do të organizohet në sheshin “Zahir Pajaziti”.
“Qeveria ka marrë anë. Është rreshtuar me bizneset e mëdha private. Të vetmit që nuk do të preken nga rritja e rrymës. Është koha të marrim anë edhe ne. Ne qytetarët që do t’ua paguajmë rrymën oligarkëve. Është koha të organizohemi kundër kësaj padrejtësie”, thuhet në thirrjen për protestë nga PSD-ja.
Sa i përket vendimit të kryeministrit Kurti, ky duket të jetë veprim tinëzar, duke marrë parasysh se më herët nuk ka pasur kufizime për grumbullimin e 50 personave.
Ndërkohë, çmimet e energjisë elektrike nuk do të jenë aspak të ulëta, derisa Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE) në Kosovë i ka ndarë konsumatorët në pesë kategori: A, B, C, D dhe E.
Nëse jeni në kategorinë A dhe shpenzoni deri në 300 kWh, fatura aktuale e juaja është 19.97 euro, por me rritjen e çmimit të energjisë elektrike ajo do të bëhet 20.40 euro.
Nëse jeni në kategorinë B, ju shpenzoni 450 kWh dhe fatura e juaj aktuale është 27.37 euro, ndërsa tani do të bëhet 29.66 euro.
Nëse shpenzoni deri në 600 kWh, jeni në kategorinë C dhe fatura e juaj aktuale është 35.86 euro, me çmimet e reja ajo bëhet 38.92 euro.
Nëse jeni në kategorinë D, ju shpenzoni deri në 800 kWh, fatura aktuale është 47.19 euro, por me rritjen e çmimit fatura bëhet 74.17 euro.
Nëse jeni në kategorinë E, ju shpenzoni deri në 1000kWh dhe fatura aktuale është 58.52 euro, ndërsa me rritjen e çmimit ajo bëhet 109.42 euro.