Manchester City përmbys dhe bën “poker” ndaj Liverpool, duke ndezur festën në “Etihad Stadium”.
Ishte ekipi i Jurgen Klopp ai i cili gjeti rrugën drejt rrjetës, me Salah që i dha avantazhin ekipit të tij në minutën e 17’.
Megjithatë “The Reds” iu gëzuan këtij avantazhi vetëm 10 minuta, pasi në minutën e 27’ pas asistit të Grealish, Alvarez barazoi për skuadrën e Pep Guardiolës, duke e mbyllur pjesën e parë në baraspeshë.
Që në sekondat e para të fraksionit të dytë, “Citizens” gjetën golin e dytë, duke përmbysur me De Bruyne në minutën e 46’, ndërsa në minutën e 53’ Gundogan realizoi golin e tretë për ekipin e tij.
Në minutën e 70’ Jurgen Klopp bëri katër ndryshime të menjëhershme duke nxjerrë nga fusha Robertson, Diogo Jota, Salah dhe Elliott dhe në vend të tyre u aktivizuan Tsimikas, Firmino, Nunez, dhe Oxlade-Chamberlain, megjithatë as këto lëvizje nuk sollën rezultat, përkundrazi.
Në pjesën e dytë Manchester City pati dominim total, ndërsa në minutën e 74’ Grealish bëri “poker”, pas asistit të De Bruyne dhe vulosi rezultatin e këtij takimi.
Pas mbylljes së javës së 29-të të Premier League Manchester City shkon në kuotën e 64 pikëve në vend të dytë, pesë më pak se Arsenal kryesues, por me “The Gunners” që kanë një ndeshje më pak, ndërsa Liverpool me 42 pikë renditet në vend të gjashtë.