Vlora Çitaku, nënkryetare e Partisë Demokratike të Kosovës, ka kritikuar presidenten Vjosa Osmani, për heshtjen e saj rreth zhvillimeve të fundit në vend, tensionet në veri dhe sanksionet e vendosura nga Bashkimi Europian ndaj Kosovës. Nënkryetarja e PDK’së, ka kërkuar nga Osmani që të tregojë qëndrimin e saj të qartë rreth kësaj situate dhe se nëse ajo pajtohet me kryeministrin Albin Kurti, shkruan Gazeta Metro.
Ajo ka shtuar se, qytetarët kanë nevojë të dëgjojnë nga Osmani se çka mendon ajo. Po ashtu, Çitaku ka pyetur presidenten se pse po heshtë ajo.
Nënkryetarja e PDK’së ka deklaruar edhe se e ardhmja e Kosovës nuk rrezikohet për një grusht vota.
Postimi i plotë:
Heshtja nuk është gjithmonë flori.
Në politikë, e posaçërisht në situata të rënda sikur këto nëpër të cilat po kalon Kosova, heshtja është pajtim. Është nënshtrim.
Presidente, cili është qëndrimi i juaj i qartë e pa gjeneralizime, për situatën në të cilën jemi? A mendoni njejtë si Kurti apo nuk pajtoheni me të?
Qytetarët kanë nevojë të dëgjojnë nga ju. Konkretisht çka mendoni? Jo fraza.
Tërë karrierën politike e keni ndërtuar në antagonizma. Por, atëherë ka qenë populiste me e kundërshtu Thaçin, Mustafën…
E tash? Pse po heshtni?
Nuk rrezikohet e ardhmja e vendit për një grusht vota e për likes në facebook.