Sekretarja e Përgjithshme e PDK-së, Vlora Çitaku ka vizituar dje në Hagë ish-presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi.
Përmes një postimi në Facebook, Çitaku ka thënë se ishte e prekur thellësisht nga zhvillimet e fundit me procedurën gjyqësore, ndërsa shpreh besimin e palëkundur të ish-presidentit Thaçi në drejtësinë e luftës çlirimtare të Kosovës.
“Sot, udhëtova edhe një herë drejt Hagës për të vizituar një burrë që ka mbajtur mbi supe ëndrrat dhe sakrificat e një populli, të një shteti, Presidentin Hashim Thaçi. Unë, posaçërisht këtë herë, isha e prekur thellë nga zhvillimet e fundit me procedurën gjyqësore, ndërsa besimi i palëkundur i Presidentit Thaçi në drejtësinë e luftës çlirimtare të Kosovës shkëlqente më fort se kurrë, edhe brenda këtyre mureve”, ka shkruar Çitaku.
Me tej, Çitaku potencoi se Thaçi qëndron i fortë duke mbrojtur nderin dhe dinjitetin e popullit tonë.
“Një gjë, le të jetë e qartë për të gjithë: Hashim Thaçi mishëron shpirtin e luftës sonë për liri e pavarësi, guximin e atyre që dhanë gjithçka për këtë tokë dhe besimin e patundur se e vërteta gjithmonë triumfon. Sot, si gjithmonë, ai qëndron i fortë, duke mbrojtur nderin dhe dinjitetin e popullit tonë. Rruga e Kosovës drejt lirisë nuk ishte kurrë e lehtë, por ishte gjithmonë e drejtë. Asnjë gjykatë nuk mund ta ndryshojë të vërtetën e një lufte të drejtë për liri. Ne mbetemi të palëkundur, pranë tyre dhe të përkushtuar për drejtësi. Për Hashimin. Për Kadrinë. Për Çlirimtarët tanë. Për Kosovën”, tha Çitaku.