Sot ishte afati i fundit për marrjen e vendimit në lidhje me certifikatën e biznesit të Klan Kosovës, një temë tepër e diskutuar në publik. Komisioni për shqyrtimin e ankesave në ARBK ka marrë vendim që t’ia pezulloj Klan Kosovës çertifikatën e biznesit, pasi nuk ia ka pranuar ankesën.
MINT ka njoftuar se për ta kjo çështje ka mbaruar, e se rasti tashmë do të kaloj në Gjykatë.
E për këtë çështje ka reaguar nënkryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku e cila thotë se “idea e lirisë së fjalës dhe mendimit po sulmohet brutalisht”.
Postimi i plotë:
Qeveria e Albin Kurtit paska marrë vendim që ta mbyllë Klan Kosovën.
Duke ia marrë çertifikatën e biznesit pamundësohet operimi i njërit prej mediumeve më të mëdha e më të rëndësishme në vendin tonë.
Sot, idea e lirisë së fjalës dhe mendimit po sulmohet brutalisht.
Kjo më nuk është dhe nuk duhet të jetë betejë e vetëm një mediumi. Kjo është betejë e shoqërisë.