Nënkryetarja e Partisë Demokratike e Kosovës, Vlora Çitaku druan se procesi i anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës do të zvarritet, pas mos shqyrtimit të aplikacionit të Kosovës në diskutimet e sotme të Komitetit të Ministrave në Torino të Italisë.
Çitaku thotë se institucionet bartëse të Kosovës dështuan të lobojnë mjaftueshëm për anëtarësimin e Kosovës në Këshill të Evropës.
“Kam drojën që me mos përfshirjen e Kosovës në agjendën e sotme, ky proces do të zvarritet shumë. Kërkoj nga Qeveria e Kosovës që të përgjigjet, a ka pasur koordinim të mjaftueshëm me partnerët tanë në mënyrë që aplikacioni i Kosovës të trajtohet pozitivisht… Ne kur kemi bërë ftesë për aplikim nuk kemi nënkuptuar mbushjen e formularëve, pasi ajo është pjesa më e lehtë. Kemi kërkuar koordinim të ngushtë me aleatët tanë, fatkeqësisht ftesa sot Kosovës nuk i ka ardhur”, thotë ajo
Ajo pyeti për prezencën e ministres së Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, derisa kërkoi angazhim më të madh të saj në këtë proces.