Në vendin ku para më shumë se 5 viteve shpërtheu pandemia COVID-19, është përhapur një virus tjetër.
Spitalet e Kinës janë të mbushura me pacientë të infektuar me një virus të frymëmarrjes të identifikuar si Metapneumovirusi i Njeriut (HMPV).
E në lidhje me këtë, ka reaguar edhe Organizata Botërore e Shëndetësisë, e cila nuk e ka cilësuar situatën si një emergjencë globale shëndetësore.
Kurse Instituti Kombëtar për Shëndetësi ka kërkuar që të mos bëhet panik por që të respektohen masat e kujdesit të përgjithshëm.
“Aktualisht në Kinë ky virus është i pranishëm, por nuk është virus i ri, sepse është prej vitesh ne qarkullim dhe i ka karakteristikat e virusit sezonal. Nuk përjashtohet mundësia që të shpërndahet edhe në vende te tjera, por situata monitorohet në vazhdimësi, dhe nuk ka nevojë për ndonjë lloj paniku. Duhet zbatuar masat e kujdesit të përgjithshëm, aplikimi i higjienës personale, qëndrimi i përkohshëm në shtëpi i atyre që kanë shenja, dhe evitimi i vendeve me grumbullime të mëdha të njerëzve”, ka thënë Era Pireva, zyrtare për informim në IKSHPK
Infektologu, Hamdi Ramadani ka treguar simptomat e këtij virusi.
Sipas tij, ka ngjashmëri të madhe me Covid-19.
“Simptomatologjia prapë po them se është e njëjtë me gripin sezonal ose COVID-19, dhe kryesisht moshat me të prekura në vendin ku është shfaqur janë fëmijët, personat mbi 60 vjet dhe normalisht të sëmurit”, thotë Ramadani.
Por a ekziston rreziku që ky virus të kthehet në një pandemi?
“Tash për tash nuk ka ndonjë të dhënë nga OBSH-ja që sëmundja mund të përhapet në formë të pandemisë, por kjo nuk e përjashton këtë, pasi që edhe në SHBA është e paraqitur. Mendoj që ndonjë panik as në vendin tonë tash për tash nuk duhet të ketë, por përkujdesje dhe monitorim i situatës maksimumi, dhe normalisht personat që vijnë nga ato vende, eventualisht nëse vijnë ku sëmundja është e paraqitura kemi paraqitur ato masat 5 ditore, 7 ditore monitoruese kontrolluese tek personat në fjalë”, shprehet infektologu, Ramadani.
Metapneumovirusi njerëzor (hMPV) është zbuluar për herë të parë në vitin 2001 nga shkencëtarët holandezë, aktualisht, nuk ka trajtim specifik ose vaksinë për këtë virus.
HMPV është një sëmundje e rrugëve të frymëmarrjes që shkakton simptoma të ngjashme me gripin ose të ftohtin, por mund të rrisë rreziqet ose të çojë në komplikime më serioze si bronkiti ose pneumonia, veçanërisht tek të moshuarit, fëmijët e vegjël dhe njerëzit me imunitet të dobët.