Edicioni i 2025-ës i Eurovisionit është mbajtur këtë vit në Bazel të Zvicrës, duke u rikthyer aty ku gjithçka filloi në vitin 1956. Gara evropiane e këngës, e organizuar nga Unioni Evropian i Transmetimeve (EBU), këtë vit është zhvilluar nën moton “Welcome Home”.
Sipas rregullave, këngët pjesëmarrëse duhet të jenë origjinale, të mos zgjasin më shumë se tre minuta dhe të mos jenë publikuar apo interpretuar publikisht para datës 1 shtator 2024. Vokali kryesor duhet të interpretohet “live”, pa sinkronizim të buzëve apo përdorim të auto-tune, ndërsa në skenë lejohen maksimumi gjashtë performues.
Në natën finale, çdo shtet shpërndan pikë përmes dy mënyrave: nga juria profesionale dhe nga votat e publikut evropian. Çdo shikues mund të japë deri në 20 vota për artistë të ndryshëm, por nuk lejohet të votojë për përfaqësuesin e vendit të vet.
Për më tepër, në këtë edicion përfshihen edhe shikuesit nga vendet që nuk janë pjesëmarrëse, të cilët votojnë në një kategori të veçantë të quajtur “vota e pjesës tjetër të botës”.