“SHBA po rrit presionin diplomatik mbi Serbinë dhe Kosovën”, shkruan prestigjiozja Financial Times, në një shkrim kushtuar raporteve Kosovë-Serbi.
Në këtë shkrim të publikuar të enjten, FT ka përfshirë Këshilltarin e Lartë të Departamentit amerikan të Shtetit, Derek Chollet, i cili një ditë para ishte për vizitë në Kosovë.
“Ne ishim të shqetësuar për metastazat [shpërndarjen] e dhunës… Gjëja e fundit që secili prej nesh dëshiron tani është një krizë në këtë pjesë të botës, duke pasur parasysh se po kalojmë krizën më të madhe që nga Lufta e Dytë Botërore”, tha zyrtari i Departamentit të Shtetit Derek Chollet për Financial Times të mërkurën nga Kosova.
Këshilltari Chollet, si një prej diplomatëve më të rëndësishëm amerikanë të ketë vizituar rajonin ndonjëherë, tensionet në veri të Kosovës në dhjetor i quajti shqetësuese, derisa ka thënë se nuk do dëshironin që të tilla tensione të përsëriten, shkruan tutje FT.
“Ne nuk duam të jemi në një diplomaci krize. Së pari, targat, pastaj barrikadat, nuk duam diçka tjetër javën e ardhshme”, tha Chollet.
Tutje, në këtë shkrim theksohet pikëpamja e këshilltarit Chollet që Kosova dhe Serbia duhet të angazhohen për një marrëveshje përmes planit franko-gjerman.
“Unë mendoj se ekziston njëfarë mesi që mund ta arrijmë, përndryshe nuk do të investoheshim në këtë gjë siç jemi investuar,” tha ai, transmeton Reporteri.net, teksa shtoi se beson se një marrëveshje është e realizueshme, por refuzoi të vendoste një kornizë kohore për këtë.
Chollet – i cili si një diplomat i ri shoqëroi të dërguarin e paqes Richard Holbrooke në misionet e tij të viteve 1990 në Ballkan, duke përfshirë Kosovën – e përshkroi një qasje hap pas hapi si një rrugë të mundshme përpara.
Hapi bazë do të ishte normalizimi i marrëdhënieve Kosovë-Serbi edhe pa njohje të plotë, si prej shteteve të tjera, dhe për të arritur deri te kjo, Chollet përmendi “urgjencën e madhe” të themelimit të Asociacionit.
Këtë ripotencoi se ia kishte thënë edhe kryeministrit Kurti gjatë vizitës së tij në Kosovë të mërkurën.
“Të dyja palët duhet të tregojnë gatishmëri për kompromis”, tha Chollet. “Derisa serbët përfundimisht do të duhet të pranojnë një nivel të sovranitetit, Kosova duhet t’u japë qytetarëve të saj etnikë serbë autonomi më të madhe, në veçanti një asociacion formal për komunat me shumicë serbe në veri të vendit.”
“Ata e kuptojnë rëndësinë e kësaj,” shtoi Chollet.
SHBA e di mirë rolin përçarës të Rusisë, që ka theksuar vazhdimisht mbështetjen e saj për aleatin sllav Serbinë, tha Chollet, shkruan Financial Times.
Mirëpo tutje thuhet se kjo çështje tashmë ka marrë kahje tjetër, pasi Serbia, e varur prej kohësh nga energjia ruse, ka filluar t’i shtojë burimet e saj të energjisë dhe ta zvogëlojë atë varësi. Kjo e ka lënë çështjen e Kosovës si levën e fundit që Moska ka mbi Beogradin, një aspekt që nuk i ikë Uashingtonit.
“Një prej arsyeve pse ne duam të gjejmë marrëveshje ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është që ta heqim atë levë nga Rusia,” tha Chollet. “Megjithatë, nuk mendoj se duhet ta mbivlerësojmë këtë levë… Është reale, por them se nuk është arsyeja primare pse po e bëjmë këtë .”
Tutje, Financial Times shkruan edhe për vizitën e Cholletit në Beograd.
Sipas fjalëve të këshilltarit amerikan, Beogradi mban inat me Perëndimin, inat ky që buron qysh prej 1999’ës pas bombardimeve. Ndërsa në anën tjetër, Chollet tha se, për këtë, Kosova ka treguar mirënjohje të pakusht ndaj ShBA’së.