Një delegacion amerikan ka zbarkuar në Prishtinë për të treguar “energjinë diplomatike” që SHBA-ja do ta shfrytëzojë për normalizimin e raporteve të Kosovës dhe Serbisë. Çfarë i tha Chollet Kurtit për Asociacionin? Si do të formohet një i tillë, me refuzimin e Kryeministrit Kurtit dhe çka ka nënkuptuar Escobar me gjetjen e “partnerëve alternativë” për ta jetësuar Asociacionin. Këto amerikanët i zbuluan gjatë një diskutimi në Ambasadën amerikane, pas përfundimit të takimeve.
Për herë të parë pas vitit 1999, Derek Chollet, tani këshilltar i Departamentit amerikan të Shtetit, ka vizituar Kosovën të mërkurën, më 11 janar. “Ne jemi në një moment kritik”, ka thënë Chollet, pasi i ka përfunduar takimet me pushtetarë, opozitarë, e përfaqësues të shoqërisë civile.
Zyrtari i lartë amerikan ritheksoi se pritjet e SHBA-së janë që një marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë të sjell njohjen e ndërsjellë. Kjo, bazuar në një deklaratë të ambasadorit amerikan Jeff Hovenier, duket se ishte lënë anash momentalisht.
“Të punojnë për një marrëveshje gjithëpërfshirëse, ligjërisht të obligueshme, të përqendruar në njohjen e ndërsjellë”, ka thënë Chollet në një takim me përfaqësues mediash në Kosovë.
Kryeçështja e diskutimeve të Cholletit në Prishtinë duket të ketë qenë formimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe, të cilin, gjatë bashkëbisedimit, Chollet nuk do që të quhet “Asociacion i komunave serbe”.
“Ne presim prej Kosovës që t’i përmbush të gjitha zotimet në dialog, përfshirë formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe”, duke shtuar se “ngjarjet e fundit në Veri” vetëm se e kanë treguar më shumë rëndësinë e themelimit të Asociacionit.
Pas takimeve me Presidenten Vjosa Osmani dhe me Kryeministrit Albin Kurti, Chollet tha se amerikanët presin nga Qeveria që t’i sjellë propozimet e saj për formimin e Asociacionit.
Asociacioni, e qartëson Këshilltari amerikan, nuk do të jetë model i Republikës Srpska në Bosnjë dhe SHBA-ja nuk e përkrah një model të tillë.
“Ne presim nga Qeveria e Kosovës që të sjell disa propozime në tavolinë. Por, dua të jem i qartë; ne nuk e përkrahim dhe nuk do ta përkrahnim një Republika Srpska, si rregullim, dhe nuk po i kërkojmë Kosovës që të përkrah ndonjë rregullim, që s’është në përputhje me Kushtetutën e saj”, tha Chollet.
Por si i është përgjigjur Kurti insistimit të delegacionit amerikan për Asociacionin? Chollet nuk do të zbulojë se çfarë i kanë thënë në takimin e mbyllur udhëheqja kosovare, por tregon se ky ia ka përsëritur kërkesat.
“Nuk dua të flasë për ato që kemi diskutuara prapa dyerve të mbyllura sot. Krejt çka mund të them është se ne e kemi thënë edhe njëherë rëndësinë e formimit të Asociacionit, urgjencën e formimit të tij”
Në vizitën e fundit të emisarit amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, në gjysmë të dhjetorit, ai kishte thënë se nëse Qeveria nuk do, do të gjejnë partnerë alternativë për ta jetësuar Asociacionin. Kjo ishte marrë si një lloj kërcënimi për Qeverinë Kurti, se kjo çështje mund t’i rrëzojë nga pushteti.
Escobar e shoqëroi Colletin në Prishtinë dhe sqaroi se çka nënkuptuar me “partnerë alternativë”.
“Çfarë unë kam thënë është se Asociacioni është një zotim ligjërisht i obligueshëm. E obligon Kosovën, e obligon Serbinë dhe BE-në si ndërmjetësues. Dhe, meqenëse ne e kemi përkrahur, është edhe zotim i yni. Prandaj, një parti dhe një individ s’mund të distancohet nga ai”, deklaroi edhe njëherë Escobar.
“Dhe, partnerët alternativë janë… ne po dëgjojmë prej shumë anëtarëve konstruktivë të shoqërisë civile, grupeve multietnike që duan që kjo [asociacioni] të bëhet realitet, nga ‘think-tanks’, që kanë bërë shumë përpjekje për të gjetur se si kjo do të mund të funksiononte në një mënyrë që nuk e minon funksionimin e Kosovës dhe nuk bie në konflikt me Kushtetutën e Kosovës. Këta janë partnerët që unë do të fillojë t’i kërkojë, për të na ndihmuar t’i krijojmë disa ide dhe të sqarojë, të shlyej paqartësitë që njerëzit mund t’i kenë rreth jetësimit të kësaj marrëveshjeje”, tha ai.