Anija kozmike kineze Chang’e-5 është anija e parë që gjen shenja të ujit në hënë sipas pretendimeve të shkencëtarëve kinez. Anija arriti në hënë në datën 1 dhjetor të vitit 2020 dhe mori kampione të shkëmbinjve dhe dheut .
Anija përdori pajisjet e saj që kishte në bord për të bërë matjet shkencore, duke përfshirë reflektimin spektral të shkëmbinjve të hënës raporton “Daily Mail”. Ky është një proces kur drita e reflektuar nga shkëmbinjtë indikon përbërjen teknike, duke përfshirë molekulat si oksigjeni dhe hidrogjeni. Ekipi kinez zbuloi se në disa lloje shkëmbinjsh në një gjerësi gjeografike të mesme në Hënë, molekulat H2O ishin të pranishme në rreth 120 pjesë për milion dhe në të tjera në 180 pjesë për milion.
Kjo konfirmon gjetjet e bëra nga NASA që përdori teleskopët që ndodhen në tokë për të matur shkëmbinjtë e hënës që të gjenin prova të molekulave të ujit. Shpresohet që astronautët që do të jetojnë në Hënë në të ardhmen do të kenë mundësinë që të nxjerrin molekulat e oksigjenit dhe hidrogjenit që të prodhojnë ujë dhe oksigjen. Shumë vëzhgime orbitale dhe matje të mostrave që janë bërë në dekadat e fundit kanë treguar që uji ekziston.
Studiuesit kanë zbuluar hidroksil dhe H2O në shkëmbinjtë e hënës. Gjithsesi asnjë matje nuk është bërë në sipërfaqen e hënës për të përcaktuar nga afër ku ndodhen molekulat në shkëmb. NASA në studimet e saj të mëparshme përdori një Boeing 747 të konvertuar që bëri një udhëtim rreth tokës dhe qëndroi mbi shtresën e reve. Avioni ishte i pajisur me sensorë që zbulonin vibrimet e ujit molekular.
Studimi i NASA-s zbuloi molekula uji në kraterin Klavius që është një nga krateret më të mëdhenj që duket nga Toka dhe ndodhet në hemisferën jugore të Hënës. NASA tha se ky zbulim është një provë përfundimtare dhe e padyshimtë e ujit në sipërfaqen e hënës. Ky zbulim do të bëjë të mundur që misionet e ardhshme hapësinore në Hënë mund të zgjaten duke përdorur molekulat e ujit që janë të shpërndara në të gjithë Hënën.