Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq tha të dielën se është i vendosur të kërkoj një zgjidhje kompromisi me Kosovën për përdorimin e dokumenteve të identifikimit dhe targave të makinave brenda dhjetë ditëve, duke ju referuar 1 shtatorit kur qeveria e Kosovës pritet të rinisë zbatimin e masave të reciprocitetit për këtë çështje. Ai paralajmëroi se serbët e Kosovës mund të largohen nga të gjitha institucionet nëse nuk gjendet zgjidhje për shqetësimet e tyre.
Ai i bëri këto komente, në paraqitjen e parë pas bisedimeve të së enjtes me kryeministrin e Kosovës Albin Kurti në Bruksel, në të cilat dështuan të arrijnë një marrëveshje për të shmangur tensionet si ato të 31 korrikut kur grupe serbësh bllokuan rrugët në veriun e Kosovës për të kundërshtuar vendimet e qeverisë qendrore në Prishtinë që dokumentet e identifikimit dhe targat e makinave të lëshuara nga Serbia, të mos vlejnë në territorin e Kosovës.
Beogradi zbaton masa te njëjta për qytetarët e Kosovës që kalojnë nëpër Serbi gjatë 10 viteve të fundit.
Presidenti serb tha se kishte hedhur propozimin që serbët e Kosovës të mos përfshihen në vendimin për dokumentet personale dhe të pajisën me targa që janë neutrale ndaj statusit të Kosovës.
Por, pala e Kosovës tha ai, hodhi poshtë këto propozime kompromisi.
Serbia tha ai ndodhet në një situatë shumë të vështirë, por do të kërkojë me dëshpërim një kompromis.
Presidenti serb tha se Kosova kërkoi të enjten që të diskutohet për një marrëveshje të përgjithshme për normalizimin e marrëdhënieve që përfshinte njohjen e ndërsjellë, dëmet e luftës, trajtimin e çështjes së të zhdukurve dhe viktimave të përdhunimeve, simetri në të drejtat e serbëve me ato të shqiptarëve në Serbi si dhe rishikimin e marrëveshjeve të dakorduara më parë.
Të dielën nuk pati ndonjë reagim të menjëhershëm të qeverisë së Kosovë e cila të enjten tha se kishte diskutuar për dy çështje, kuadrin e përgjithshëm të marrëveshjes përfundimtare dhe për targat e dokumentet serbe.
Presidenti serb tha të dielën se qëllimi i Prishtinës është shfuqizimi i çdo gjëje që ka të bëjë me shtetin serb dhe përndjekja e serbëve nga Kosova.
Ai mblodhi të dielën paradite në Beograd përfaqësuesit e serbëve të Kosovës nga të cilët siç tha, mori mbështetjen e tyre që të punojë për të gjetur një zgjidhje kompromisi si dhe kërkesën që të mos përballen me përndjekje. Presidenti serb tha se do të bëj gjithçka për të ruajtur paqen por nuk do të lejojë një gjë të tillë ndërsa u bëri thirrje forcave paqeruajtëse të NATO-s që të kujdesen për sigurinë e serbëve dhe jo të merren me bllokimet e rrugëve.
Trupat e NATO-s shtuan praninë e tyre në pjesën veriore të Kosovës ndërsa kanë paralajmëruar se janë të gatshme të ndërhyjnë nëse rrezikohet qëndrueshmëria.
Presidenti serb tha se është informuar nga përfaqësuesit e serbëve të Kosovës që nëse nuk gjendet ndonjë zgjidhje për një kohë të shkurtër, “nëse nuk ndalet përndjekja e serbëve, politikanët do të largohen nga të gjitha institucionet e Kosovës gjatë muajit të ardhshëm, dhe më pas gjykatësit dhe oficerët e policisë do të ndjekin shembullin deri në fund të shtatorit” dhe se do të ketë, siç tha ai, “zhbërje të rendit të Brukselit të dakorduar me marrëveshje”.
Ndërkohë, ministri i Brendshëm i Kosovës Xhelal Svecla vizitoi forcat e sigurisë në një pikë kufitare mes Kosovës dhe Serbisë të dielën, duke thënë: “Interesi ynë i përbashkët është që kjo tokë është e jona dhe ne nuk do të heqim dorë prej saj për asnjë çmim.”
Bisedimet në Bruksel që filluan 11 vjet më parë, synojnë një marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet të dyja vendeve. Serbia llogaritë në përkrahjen e Rusisë në kundërshtimin ndaj pavarësisë së Kosovës të cilën e njohin Shtetet e Bashkuara dhe vendet kryesore perëndimore.
Normalizimi është kusht për të dyja palët që të përparojnë drejt integrimeve evropiane. /VOA