Ka përfunduar seanca me dëgjimin e dëshmitarit të gjashtë të Zyrës së Prokurorit të Specializuar. Trupi gjykues ka vijuar me pyetje për dëshmitarin që mban numrin 11, në pjesën më të madhe në seancë private. Pas përfundimit të kundërpyetjeve të ekipit mbrojtës të Pjetër Shalës, anëtarët e trupit gjykues e kanë pyetur dëshmitarin për deklaratat e tij në lidhje me personat që po mbaheshin në dhomën e njëjtë.
Gjykatësi Gilbert Bitti ka kërkuar sqarime për numrin e personave që ishin të ndaluar në të njëjtën dhomë në fabrikën e metalit në Kukës.
Bitti: Pyetja ime është këto shtatë-tetë persona që ishin atje kur shkuat ju qëndruan gjatë gjithë kohës që ishit edhe ju i ndaluar atje, pra të njëjtit persona qëndruan edhe gjatë kohës që ishit ju i ndaluar atje?
Dëshmitari: Jo.
Bitti: U liruan disa prej personave nga kjo dhomë gjatë kohës që ishit ju të ndaluar dhe a sollën të ndaluar të tjerë gjatë kësaj kohe?
Dëshmitari: Jo, nja dy kanë dalë, të tjerë nuk kam vërejtur. Ndoshta para meje ka pasur, nuk e di”, është përgjigjur dëshmitari.
Tutje, gjykatësi ka thënë se në deklaratën e mëparshme, dëshmitari i mbrojtur ka thënë se gjatë kohës sa ishte i ndaluar erdhën disa të burgosur të rinj dhe disa të tjerë u larguan.
Bitti: Deklaratën që i keni dhënë ZPS-së keni thënë që kur ishit i ndaluar erdhën disa të burgosur të rinj dhe disa nga grupi i parë u ndaluan, a të kujtohet ta kesh thënë këtë që gjatë kohës që ishe i ndaluar sa largohesh po vinin të tjerë?
Dëshmitari: Po.
Bitti: A ju kujtohet nëse kishte një ndërrim të të burgosurve, sa veta ju kujtohet, sa veta janë larguar dhe sa kanë ardhur? A ju kujtohet?
Dëshmitari: Jo, nuk më kujtohet.
Derisa gjykatësi ka vijuar me pyetjet tjera sqaruese për vëllezërit romë që kishte në dhomë, transmetimi ka qenë në sesion privat.
Tutje, dëshmitari ka thënë se nuk ka qenë në njohuri se çfarë ndodhte me të ndaluarit tjerë kur nxirreshin jashtë. Në pyetjet sqaruese të gjyqtarit Bitti, ai ka mohuar që ka dëgjuar zëra apo të bërtitura nga këta persona.
Bitti: Kur më pyesnin e dija që shpresoni do të merrnin në pyetje gjatë ditës, sepse mendimi i të marrit në pyetje natën ishte i frikshëm, sepse ata që merreshin në pyetje natën kur vinin, kur ktheheshin në dhomë ishte diçka jo për t’u pasur zili. Dhe pastaj ju pyetën përse dhe ju keni thënë ishin rrahur kaq shumë sa mezi qëndronin në këmbë. A ju kujtohen këto fjalë dëshmitar?
Dëshmitari: Po, po më kujtohen.
Bitti: Pra, është e saktë që kur ktheheshin ishin në gjendje që s’ishte për t’ia pasur zilinë?
Dëshmitari: Po, ashtu ishte por nuk i shihshim natën se terr, e tani i dëgjonim çka folshin mes veti”, ka thënë dëshmitari i mbrojtur.
Dëshmitari i ka thënë trupit gjykues që të nesërmen, pasi ktheheshin nga intervistimi të ndaluarit, kishin frikë t’i shikonin. Më pas, ai ka thënë se nuk kishte vërejtur shenja në trupat e personave që po mbaheshin të ndaluar në fabrikën e metalit në Kukës.
Kryetarja e trupit gjykues, Mappie Veldt-Foglia ka njoftuar se nesër në orën 14:00 do të jepen disa urdhra me gojë për çështje të ndryshme.
Ky është dëshmitari i gjashtë i mbrojtur i ZPS-së kundër Pjetër Shalës i cili po përballet me akuza me pretendime për krime lufte.
Pjetër Shala e ka ndjekur këtë seancë përmes video-lidhjes nga Qendra e Paraburgimit.
Shala po qëndron në qendrën e paraburgimit në Hagë prej marsit të vitit 2021.
Sipas Speciales “Krimet për të cilat akuzohet Shala u kryen përafërsisht midis 17 majit 1999 dhe 5 qershorit 1999 kundër personave që u mbajtën të ndaluar në fabrikën e metalit në Kukës (Shqipëri), që pretendohet se përdorej prej Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”.
Pjetër Shala u arrestua më 16 mars 2021 nga autoritetet belge dhe u transferua në Hagë më 15 prill të atij viti, në bazë të një kërkese për bashkëpunim në zbatimin e fletë-arrestit dhe urdhrit për transferim lëshuar nga Dhomat e Specializuara të Kosovës.