Profesoresha e Fakultetit të Mjekësisë, Hatixhe Latifi-Pupovci, është sulmuar fizikisht në vendin e saj të punës, nga prindi i një studenti, i cili është po ashtu mjek me profesion.
Sipas asaj që ka njoftuar Pupovci, ajo është sulmuar fizikisht nga Dr. Arsim Gashi, gjinekolog, i cili është ndarë i pakënaqur me notën që e ka vlerësuar ajo djalin e tij student.
“Të dashur miq, po më vjen shumë keq për shqetësimin që ka mund të ju sjell lajmi që veç qenka nëpër portale rreth sulmit që më ka ndodhur. Ka qenë një sulm krejtësisht i pa pritur dhe i pa provokuar, i shkaktuar nga motive të pa kuptueshme për mua. Studenti i pakënaqur me notën e provimit ka mënyra të tjera akademike për të kërkuar drejtësinë, ndërsa ndërhyrja e prindit është krejtësisht e pa pranueshme”, ka shkruar ajo në Facebook.
Latifi-Pupovci ka thënë se është për keqardhje se si doktori Gashi ka zgjedhur dhunën për të qëruar hesapet me të. Ajo thotë se pret dënimin e merituar ndaj tij.
Është për keqardhje që ky prind, edhe vet mjek, nuk e kupton se sa me rëndësi është mbajtja e kriterit në një lëndë kyçe për formimin e çdo mjeku të ardhshëm. Por, zgjedh dhunën si rrugë për arritjen e qëllimit të vet. Si duket specialisti i gjinekologjisë, dr. Arsim Gashi, nuk e ka herën e parë që përmes dhunës tenton t’i zgjidh problemet. Prandaj pres që ta merr dënimin e merituar”, ka shkruar ajo.
Gjinekologu Arsim Gashi që sulmoi fizikisht profesoreshën Hatixhe Latifi-Pupovci në Fakultetin e Mjekësisë, me urdhër të prokurores kujdestare është ndaluar për 48 orë.
Lajmin për Gazetën Express e ka bërë të ditur Laureta Ulaj, zëdhënëse në Prokurorinë Themelore në Prishtinë.
“Me urdhër të prokurores kujdestare është ndaluar në kohëzgjatje prej 48 orësh personi për të cilin keni parashtruar pyetje, për shkak të dyshimit se ka kryer veprën penale “Sulmi ndaj personit zyrtar”, tha ajo për Gazetën Express.
Lidhur me rastin ka reaguar edhe Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina”.
Përmes një komunikatë për media, UP-ja thotë se aktet e tilla janë sjellje të papranueshme dhe të dënueshme, e të njëjtat cenojnë rëndë misionin e UP-së të lidhur me krijimin dhe zhvillimin e shoqërisë tolerante dhe dhënien e ndihmesës në procesin e promovimit të demokracisë qytetare.
“Me këtë rast, UP-ja u bënë thirrje organeve kompetente që aktin në fjalë ta trajtojnë më urgjencë dhe ndaj sulmuesit të shqiptojnë masën adekuate ligjore. UP-ja thekson gatishmërinë që të bashkëpunojë ngushtë më organet përkatëse, për të mundësuar zbardhjen e rrethanave dhe trajtimin e rastit në tërësi”, thuhet në reagimin e tyre.