Ambasada Amerikanë në Prishtinë thotë se është në dijeni dhe po e përcjellin nga afër përpjekjen e pushtetit të Kurtit për ta mbyllur një media kritike në Kosovë. Qeveria e Kosovës në mënyrë arbitrare, të mërkurën, i ka pezulluar televizionit “Klan Kosova” certifikatën e biznesit, derisa është duke ushtruar presion tek Këshilli i Pavarur i Mediave (KPM) për t’a mbyllur krejtësisht televizionin më të madh në vend, përmes heqjes së licencës.
“Jemi në dijeni të vendimit dhe po e përcjellim këtë çështje për së afërmi”, ka thënë të enjten një zëdhënës i Ambasadës së SHBA’së në Kosovës për gazetën online Reporteri.net, i pyetur specifikisht në lidhje me zhvillimin që ka atakuar direkt të gjithë gazetarët dhe mediat publik në vend.
“E vëmë në pah që duket se vendimi është marrë papritmas dhe që heqja e licencës së ndonjë medie është hap i rëndësishëm që kërkon shqyrtim të hollësishëm.”, vazhdon tutje reagimi i ambasadës së SHBA’së dërguar në adresë të gazetës online Reporteri.net.
ADVERTISING
“Siç e kemi thënë vazhdimisht, mediat e lira dhe të pavarura janë thelbësore për demokracitë e forta dhe të qëndrueshme”, përfundon përgjigja e Ambasadës dhënë ekskluzivisht për gazetën online Reporteri.net.
Pushteti në Kosovë, këtë javë, orekestroi sulmin ndaj Klan Kosovës. Fillimisht një tekst i dyshimtë u lansua në një portal “fanton” i dirigjuar nga Lëvizja Vetëvendosje dhe i mirëmbajtur nga militantët e saj. Pastaj erdhi reagimi i MINT’it, gjoja duke u thirrur në “hulumtimin” e portalit në fjalë. Dhe së fundi, sot pritet të mblidhet KPK’ja për të marrë një vendim, pasi mbrëmë anëtarët e saj mbajtën paraprakisht paten një takim “konsultativ”. Vetëm pak javë më parë, pushteti i Albin Kurtit e kishte kapur KPM’në, duke e votuar në Kuvend një militante të VV’së si anëtare të bordit, që në rrethana normale do të duhej të ishte i pavarur.
Vendimi arbitrar i Qeverisë së Kosovës dhe përpjekja e pushtetit për të mbyllur një media kritike në Kosovë ka nxitur reagimin e pothuajse të gjithë gazetarëve, mediave, dhe organizatave që mbrojnë lirinë e shprehjes në vend dhe atyre ndërkombëtare.
Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës njoftoi se është thellësisht i tronditur me njoftimin e Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë për pezullimin e licencës së biznesit të televizionit kombëtar privat, Klan Kosova, përmes një vendimi të paargumentuar, pa specifikim të bazës ligjore dhe pa paralajmërim.
“AGK-ja, e konsideron veprimin e qeverisë së kryeministrit, Albin Kurti, dhe Lëvizjes Vetëvendosje, si të paprecedentë në historinë e re të Kosovës, dhe përpjekje direkte për të diktuar dhe kontrolluar përmbajtjen mediale të Klan Kosovës. Në veçanti, ne jemi të shqetësuar me fatin e kolegëve tonë gazetarë, kameramanë dhe punëtore të tjerë të Klan Kosovës të cilët do të afektohen direkt negativisht nga ky vendim arbitrar. Konsiderojmë gjithashtu që ky vendim është marrë për të dërguar mesazh tek mediat tjera dhe është dëshmi e pakontestueshme që liria e medias dhe e shprehjes asnjëherë nuk ka qenë më në rrezik se sa aktualisht”, thotë reagimi.