Prof. Dr. Sabahajdin Cena
SALIH BAJRAMI KA MBETUR LEGJENDË, FERIZI KA MBETUR TANDEM I TIJ
Salih e Feriz Kraniqin i kam njohur vetë, ndërsa Sefë Mleqanin më ka njoftuar prof. Dr. Shefqet Pllana, të cilit i jam mirënjohës se më ka futur në gurrën e folklorit burimor. Sefë Mleqani nuk më ka pranu mirë e të bijtë e ti po, ndërsa Salihi e Ferizi nga starti më kanë pranuar si djalë të tyre. Kam qenë i ri diku 21-vjeçar. Profesorët nga Shqipëria Qemajl Haxhihasani, Zini Cako, Eqrem Qabej, Lever Kurti krejt kush kanë punuar me Salihin e me Ferizin, në atë ekspeditë kanë menduar se edhe unë jam plak diku i moshës së tyre. Kur më kanë parë profesor Qemajli është befasuar dhe ka thënë: Sabahajdin Cenën e kam parafytyruar si plak diku kah 70-vjeçar që merret me folklorin.
Atëhere kam qenë folkloristi më i ri jo vetëm në Kosovë e Shqipëri po edhe në Ballkan e Europë, rrallë kush merrej me folklor. Profesioni më lidhi shumë me Salihin e Ferizin. Në atë kohë, më 1971, u pranova bashkëpunëtor i jashtëm në Institutin Albanologjik te profesor Anton Cetta. Më aktivizuan me profesor Haxhi Krasniqin dhe profesor Xhafer Kabashin prej Prizreni dhe kështu u bëra folklorist. Salihin e kam njoftë më parë përmes djemve, pastaj e kam njohur Ferizin, vëllezërit e Ferizit në fillim më kanë pranuar më mirë se Ferizi e veçmas Alia edhe një plak rrinte te ta, quhej Jashar. Në ora pesë të mëngjesit i shtijsha me këndue Kangën e Divit. Isha folklorist i privilegjuar, kisha magnetofon UER, atyre u vinte kënaqësi kur këndonin në magnetofon. Kamera s`ka pasë ende, magnetofoni im ka pasë ushqyese, tani i thonë karikues. Këngën e Divit ma kanë dhënë deri në 400 vargje në ora 5 të mëngjesit, kur e kryente këngën e Divit e falte sabahin, ma këndonte për qefi tim këngën:
Kalldermit më shkon si shah
Ma ke qit qyrkun n`krah
Aman çikë pash perendin
Falja bacës një sabah
Unë i ngucsha se Salihin e Ferizin i njoh në shumë medalje, jetën e tyre e njoh më mirë se cili do folklorist tjetër. Krahas epikës legjendare mua më interesojke epika historike, këngët e Betejës së Kosovës, të cilat i këndonin Salihi e Ferizi me ëndje, por më orientonin te Gjelir Turjaka, më thoshinë; ai merrët me këngët e vjetra e na pak ma me të reja. Edhe Gjelirin e kam njohur mirë, kam marrë këngë prej tij dhe kam botuar materiale për te.
Tani ktheheshim të këngët e mërgimit apo këngët e migrimit, se pas shpalljes së reformave të Hatisherifit, Serbia fitoi disa të drejta të gjithë shqiptarët t’i shpërngulë prej Karagujevci, Paraçini, Jesenice, Ivanice, prej Sangjakut të Nishit e shpërngulja për Turqi. Këngë më të dhimbshme të tyre kanë qenë këngët e muhaxhirëve, sepse t’i lësh trojet, t’i lësh varret e të parëve, t’i lësh eshtrat e të parëve ku ti i ke varrosur, ta braktisësh vendlindjen e të vish në jug të Serbisë në kufijtë e Kosovës, ka qenë dhunë e madhe. Këngët që krijonin e këndonin, sot në teoritë e lehtësisë thuhet bënin këngë pragmatike.
Cili është pragmatizmi, ta analizojmë këngën e Malsorit “ Kthehu“. Strategjia e Salihit e Ferizit që populli të kthehet, të mos i braktisë trojet etnike, të mos shkojnë në Stamboll, kënga “Jo shqiptari, turqeli” Salihi e Ferizi e Riza Bllaca e shumë tjerë e organizuan një program gjithëkombëtar në të penguarit e parandaluarit e shpërnguljes së shqiptarëve, se duhet të rrinë në troje të veta aty ku i kanë varret e të parëve. Të gjitha dasmat Salih e Feriz Krasniqi e hapnin me këngën me vargjet
“ Isa Beg po thirrë nana,
na vin topat me katana”
dhe e mbyllnin me strofen e fundit:
“ Jashar Pashës e Sefedin Begut
Krejtë shqiptarët kanë me ia pa sherrinë”
E për mos me ia pa sherrin, kapnin këngët për pengimin e shpërnguljes, këngët apelonin në ruajtjen e varreve të t`parëve. Në kuadër të repertorit të tyre e që u garantojë se repertorin e Salihit e Ferizit dhe Riza Bllacës e njoh mirë, e kapnin këngën “ N`fushë të Kosovës lidhet jezeri” kur vinin te vargu:
Kush t`ma gjan vorrin e ti
Ia jap kodrën me gjithë shpi
Mullinin me gjithë dhi ……
e tjera e tjera.
Çështjen e varrit e këndonin me shumë emocion. Këtu ndaleshin e bënin një pushim.
Unë auditori parë në karierën time live, tash po i thojnë on live, i kam parë në dasmën e Ukë Shalës në fshatin Damanek, Nusen e kanë marrë në Aqarevë të Skënderajt. Unë e kisha magnetofonin, të gjithë dasmorët edhe vendasit Krasniq e Kastrat e Shalian mu lutën të mos e kyçi magnetofonin se shahirat na lajnë pa dajre (pa këngë), se atëherë flitej nëse këndon në magnetofon, magnetofoni ta shtjerr zërin. Unë i pata thënë: o Salih Bajrami, këtë ma ka thënë edhe Sefë Mleqani, me ta ndal mikrofoni zërin, ia kish ndalë Enver Hoxhës e Titos se para 100 mikrrofonave flasin. Më kanë lejuar për të incizuar, kurrë problem nuk kam pasë.
Më 1972 i kam pri ekspeditës shkencore, e para ekspeditë e bashkëpunimit në mes Kosovës e Shqipërisë. Në Kosovë kanë ardhë prof. Dr.Qemajl Haxhihasani, etnomuzikologu Hysen Filja, Tish Daija, Ramadan Sokoli, të gjithë këta burra kanë vizituar Llashka Drenocin, Kijevën, Mleqanin, Turjakën edhe Damanekun. Në Damanek ka hasë sharra në gozhdë, sepse këta burra është dashtë me kontaktue me Kadri Minushin e Halit Minushin, Kjo u bë aferë e madhe po megjithë ate, ekspedita në anadrini ka qenë sublime.
Modestia e Salih Bajramit qëndronë se i pranonte të parët, çka do të thotë, nuk pshtynte në pusin ku ka pi uji edhe pse e ka gjetë pusin e ri, ai na ka orjentuar që ta kërkojmë, rapsodin e këngëve të gjata epikë të kreshnikëve Te Qamil Mustafë Bytyçi prej Shkoze dhe Lam Isufi Topalli prej Ostrozubi, ishte nderë që i kemi taku ata burra dhe u kemi tregu nderi u takon Salihit e Ferizit që na kanë orjentu te ju, Qamil Mustafë Bytyçi nga Shkoza e ka kënduar një krahinë “ Martesën e Bellu Kapetanit “ diku nja 800 vargje të cilën e kam botuar. Ndërsa Lam Isuf Topalli ( Lam Morina), shok i ngusht i Salih Bajramit por edhe talent për rapsodi po jo edhe për këngë të shkurta. Te këngët e shkurta, këngët e gryta, këngët e moçme, këngët popullore të shkurta, këngët e lëngëta, këngët për uji nuk na i këndonin për opinionin. Kur shkonin me bujtë diku më thoshin: profesor, nëse do eja.
Unë e merrja magnetofonin e ata na këndonin deri para mëngjesi. Këngën e parë që e kam incizuar nga Salihi e Ferizi në karrierën time, është kënga “Lulëzoi fusha, lulëzoi mali, bukuri ka ra ndynja…” me këtë këngë e fillonin tani vazhdonin “ E mirë boll, këmbët e trasha”, “ Mojë e mira n`derë të stanit”, “ Ku po shkonë mojë zanë”, “ Ku po shkon mojë Dushë”, “Rrushja e Rexhes”… këngë që i këndonin bukur, po jo në dasmë, as para mase, në atë kohë Llapusha ka pas burra me nam, si thotë populli, të vjetër e me autoritet. Salihi e Ferizi i respektonin shumë këto këngë para tyre nuk i këndonin.
Po kur tuboheshim ne të rinjtë në ndonjë odë, aty ia thoshin e kcenin gardhin. Salihi e Ferizi kanë qenë burra të pashëm, Ferizin ke mujtë me e shpall bukurosh të Kosovë. Kanë pasë kulturën e një misteri. Ata, kur i vishnin tirqit e galmë, u hipnin kuajve, ka qenë fenomen, nuk kemi pas vetura si sot. Salihin e Ferizin i kam pasë shok të mirë. Ferizin e kam pasë shok familjar, vinte te unë, buante, kur binte borë. Ferizi kthehej te unë me prim në dorë e nganjëherë ia thoshte edhe pa Salihun. E Alia për së gjalli të Ferizit, ka traditë dhe ka kulturë, kurrë në jetën time s’e kam ndie Ali Krasniqin në prezencën e Ferizit me folë a me i pri këngës, po edhe Ferizi, të betohem në varret e dëshmorëve se kurrë s’i ka dalë para Salihit.
Këta rapsodë kanë qenë dhe kanë mbetur emblema, krahas Riza Bllacës, Demë Alitarakut, Fran Shytit e Nue Shytit, mbetet në piedestalin e epikës shqiptare. Zona e Drenocit i takon epikes, pavarësisht se lartësia mbidetare nuk është si me Tropojën, Pukën, sigurisht edhe zëri tyre ka qenë në harmoni me ujin që e keni, Drenovci e keni ujin për këngë, ne Podrimja zërin nuk e kemi për këngë të gjata e Salihi e Ferizi kanë mbetë dy vigaj. E kanë treguar veten edhe në Langolen të Anglisë.
Atëherë kam qenë i ri, s`kam mujtë me shkue, po kam lexue, kam pyetur, po edhe kam vënë kontakt me Ansamblin Autokton Rugova dhe kam informacion të plotë mbi rrjedhat e festivalit. Për sa i përket shkencës, studimit, këngët e Salih e Feriz Krasniqit i kam fosnotuar, këngën e Hazir Goriqit krahas këngës “Lulzoi fusha, lulzoi mali” e kam fosnotuar ”Qoi ma thirri pasha Shaqirin…” kjo këngë i kushtohët Hazir Goriqit dhe luftës së fshatit Goriq, pastaj kur ishte më se e ndaluar dhe shkohej në burg për këngën që e inçizova unë në fshatin Zatriq në një dasmë këngën “ Prej Prokuple deri Nish”, që asaj kohe rrallë kush ka guxuar ta këndojë, përpos tekstit tjetër, përmendet edhe fjala Dërvish që për sistemin e kohës ishte e ndaluar, por këta dy rapsodë e dinin se kjo këngë duhet të këndohet në Podrime. Bashkëshortët, folkloristët gjerman Erik dhe Doristokman e quanin “Apshtemungencait” , Salihi e Ferizi kanë qenë të tillë, kanë ditë ku dhe çka me këndue.
Isha në një dasmë në Rugovë të Pejës në Shtupeq, i zoti dasmës sa herë e përfundonin këngën i thotë “O të knoftë zemra Demë Alia”, ishte fjala për Demë Alitarakun. Sali Bajrami ka qenë burrë me “ qallam-qibër, e pyet: o mik, a ki tokë, miku i thotë: pak kam. A livron ndonjëherë; tha: po livroj; a me dy kije livron a me një; i tha: me dy: Salihi i tha: harin ia pash Demë Alisë; e lëshoi dasmën. Salihi ka qenë i rreptë, kasnak e Ferizi ka qenë më tolerant më demokrat, Salihin po e hidhërove njëherë, mbete pa dasmë. Shumë gjëra i di për ta ndoshta më shumë se çdo kush tjetër. Salih Bajrami ka mbetë legjendë , Ferizi ka mbetë tandem i tij, Salihit edhe djemtë i këndojnë, edhe Naimi sot këndon mirë, Ferizit i këndojnë nipa e mbesa, pastaj Alisë i këndojnë djemtë, ua kam shkruar një tekst për Mujë Krasniqin, e këndojnë nganjëherë, por nuk po e ndiej sa kam qejf, kur jam unë prezent e këndojnë “
Kush po vjen Lugut Cahanit,
Beqir Sefa i Sefë Mleqanit…”
unë u kam borxh tërë jetën se me ta jam ngritë, jam shkolluar, edhe ata më kanë borxh bele ndonjë këngë me ma këndue.
Marrë nga libri
AEDËT SHQIPTARË TË SHEKULLIT XX
Çka thanë për duetin legjendar
Salih e Feriz Krasniqi
Intervista
Vëllimi II
autor i librit Ismet KRASNIQI
/Gazeta Papirus/
https://www.youtube.com/watch?v=SnYOpYJLozk&list=RDEM7ImdtVHMy2ECxubKrresYw&start_radio=1