Deputeti i VV-së, Visar Korenica, ka thënë se ka pasur takim me kreun e VV-së, Albin Kurti, ku fillimisht i është kërkuar dorëheqja nga pozita e koordinatorit të Qendrës së LVV-së në Rahovec për shkak të qëndrimit të tij për Projektkodin Civil.
Korenica në emisionin ‘Pressing’ në T7 tha se pasi nuk ka pranuar dorëheqjen, në muajin prill, pas mosvotimit të Kodit Civil i është komunikuar me e-mail se është shkarkuar nga pozita e koordinatorit të Qendrës së LVV-së në Rahovec.
“Shkarkimi ka ndodh në muajin prill pas mosvotimit të Kodit Civil nga ana ime. Prej muajit prill e deri para emërimit të koordinatorit të ri, nuk e kam parë të arsyeshme të flasë për këtë. Mua më është komunikuar vendimi me e-mail, se kryesia e VV-së ka marrë vendim për me ju liru nga pozicioni i koordinatorit, ju faleminderit për kontributin tuaj deritashëm. E-maili më ka ardh në muajin prill, pas votimit të Kodit Civil. E kam pas një kontakt me kreun e VV-së dhe udhëheqësit e Lëvizjes, ku më është komunikuar drejtpërdrejtë arsyeja e shkarkimit. Në fakt, kërkesa për dorëheqje, pastaj pas mospranimit tim, më dërgojnë e-mail që më kanë shkarkuar. Qëllimi kryesor është mosvotimi i Kodit Civil”.
Mes tjerash, Korenica tha se përveç të tij edhe dy personave të tjerë që kanë pasur pozicione drejtuese në VV u janë kumtuar shkarkimet.
“Mua më është dhënë drejtpërdrejtë dorëheqja, mua, Jetmirës dhe Halil Thaçit, që kemi pas pozicione drejtuese, kanë kërkuar dorëheqjen e tonë”.