Eugen Cakolli nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) ka reaguar ndaj pasi ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, i cili kërkoi që të merret shembull Gjermania, e cila sot përmes votimit të fshehtë e votoi kancelarin Friederich Merz.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Cakolli thekson se në Gjermani, votimi i fshehtë për kancelarin është normë e përcaktuar qartë dhe jo një zgjidhje ad-hoc, siç po tentohet të aplikohet në Kosovë.
“Në Gjermani, votimi i fshehtë për kancelarin është rregull, i përcaktuar shprehimisht, jo një zgjidhje e çastit. Ndërsa kancelari Merz fitoi përmes negociatave, pa ndryshuar procedurat,” shkroi Cakolli, duke theksuar se në Kosovë po tentohet të shmanget votimi i hapur – i cili garanton transparencë – vetëm sepse mungon marrëveshja politike dhe votat për kandidaten e propozuar.
Ai theksoi se në Gjermani votimi i fshehtë është rregull, duke shtuar se Merz negocioi dhe nuk ndryshoi procedurat.
“Për më keq, kjo po bëhet mes procesit, që është si të ndryshosh rregullat gjatë lojës,” ka thënë ai, duke i cilësuar krahasimet me Gjermaninë si të pabaza.
Në përfundim, Cakolli nënvizon se Gjermania mund të merret si model vetëm për kulturën e arritjes së marrëveshjeve politike.