Berat Buzhala
Nëse arrestimet dhe përdorimi i policisë nuk kthehet në qëllim në vetvete, por në mjet për të arritur qëllime të tjera, atëherë lirisht mund të themi që nën qeverisjen Kurti, për 1 vit, janë arritur disa rezultate të mira.
Përparësia e Vetëvendosjes në pushtet, është edhe pengesa e saj më e madhe. Ky subjekt politik është i bindur që çdo problem shoqëror do ta trajtojë me polici. Do ta trajtojë me polici pandeminë, çmimin e vajit, korrupsionin, kundërshtarët politikë, mediat, vetë policinë dhe çfarëdo gjëje tjetër që i del përpara.
Impulsi i parë, refleksi instiktiv, i Kurtit, Sveçlës dhe gardës së vjetër të LVV’së, sapo dëgjojnë për ndonjë problem, në ekonomi, në drejtësi, në sport, është “a t’i nisim policinë”.
Sigurisht që në 10-12 vitet e fundit shteti kishte filluar të dobësohet. Korrupsioni, kur e kalon njëfarë limiti, fillon të bëhet problem edhe për vetë logjikën e korrupsionit, korrupsioni fillon të konkurrojë në mes vete. “Ata në atë ministri po i kërkojnë 20 përqind të tenderit, a ta rrisim na pak, se edhe çmimet janë rritë”. Pak a shumë kjo logjikë ka ekzistuar, ose ka ardhur duke u thelluar.
Sektori publik, ata që merren me zbatim të ligjit, pas 10-15 vitesh etablim në funksione, krijim lidhjesh kontraktuale, patën kaluar në një fazë të akomodimit – për të keq. Pushteti i gjatë i një klase të caktuar i ofron imunitet një numri të madh të njerëzve, të cilët edhe ashtu në faza të caktuara janë të punësuar prej vetë atyre. Një udhëheqës ndërrimi në polici, një drejtor dogane diku, një shef i prokurorimit në ministri, gjasat janë reale që kanë mbështetje politike. Edhe arrestimi, por edhe dënimi i tyre, ishte pak a shumë i pamundur. Në njërën prej fazave të hetimeve, e deri të gjykimi, të tillët do të gjenin një lidhje për të shpëtuar prej rastit.
Ka disa muaj që po vërehet një ndryshim i trendit. Lufta e mirë që po e bën policia në kapjen e fajdexhive është një hap fantastik në drejtim të rikthimit të pushtetit të policisë edhe në ato skutat e errta, ku dikush e imiton bankën me tarifa qindra herë më të larta, kurse autoritet përmbarues nuk është gjykata, por vetë personi që i jep paret me fajde.
Arrestimi i tyre, parandalimi i kësaj dukurie, është shpëtim prej kthetrave të krimit për shumë qytetarë të tjerë, që deri dje përfundonin edhe në vetëvrasje. Vlen të thuhet se fajdexhitë patën arritur të krijonin edhe lidhje politike, në nivele shumë të larta. Statusi i tyre publik, ndonëse duart i kishin me gjak deri në bërryla, ishte normalizuar. Ata uleshin, ndoshta ende ulen, në të njëjtat restorane dhe hapësira publike me politikanët, biznesmenët, e pse jo edhe me gazetarët. Kjo kategori duhet të ndëshkohet me krejt fuqinë e ligjit.
Në këtë frymë duket të jetë edhe aksioni i sotëm i policisë, i drejtuar kundër policisë, një lloj lufte ‘vëllavrasëse’, por që le të themi vëllai i mirë kundër vëllait të keq.
A janë këta 50 të arrestuar pika më e dobët në hallkën policore? Nuk ka gjasa të jetë kështu. A janë këta 50 të arrestuar më të korruptuarit e policisë? Nuk ka asnjë mundësi të jetë kështu. Ata që merren me korrupsion në polici, thuhet, janë të ulur në ato karriget ku supozohet që duhet të luftohet korrupsioni. Departmenti për krimet ekonomike është/ishte shndërruar në Department për të kryer krime ekonomike. Sido që të jetë, mund të shpresojmë që edhe atyre do t’u vijë radha. Fakti që ende nuk është radha e tyre, nuk do të thotë që nuk duhet të veprohet kundër askujt.
Shumëkush thotë që këto arrestime po i kryen policia dhe prokuroria, prandaj politika duhet të rrijë jashtë. Teorikisht është kështu, por praktikisht nuk mund të ndahen këto dy tema. Ardhja e Vetëvendosjes ka krijuar kushte më të mira që segmentet e pakorruptuara në polici dhe prokurori të fillojnë të ‘hakmerren’ ndaj kolegëve të tyre të kalbur që sa kohë. Për momentin nuk po duket që dikush dikënd po e pengon që të hetohet një hajn a një kriminel. Dhe kjo është një gjë e mirë.
Ajo çfarë kjo qeveri nuk duhet të bëjë, është që gjithë vizionin e saj për qeverisje ta orientojë kah policia. Për të qeverisur duhet shumë më shumë mend dhe strategji se sa vetëm prokuroria dhe policia. Këto dy institucione janë vetëm mjeti për zhvillim ekonomik, e jo qëllimi.