Ndonëse kanë kaluar më shumë se dy vite prej se kanë vdekur, disa prej tyre vazhdojnë që të llogariten si të gjallë nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve.
Vetëm gjatë vitit të kaluar, kjo ministri ka ekzekutuar pagesa në vlerë mbi 465 mijë euro për pensione pas vdekjes së përfituesve.
E gjitha, thuhet se ka ndodhur si rezultat i ndërprerjes së lajmërimit të pensionistëve për shkak të rrethanave të krijuara nga pandemia, që nga muaji mars, i vitit 2020.
Kjo është bërë e ditur në raportin e pasqyrës financiare për vitin 2021 të këtij institucioni, të publikuar së fundi nga Zyra Kombëtare e Auditimit.
Sipas këtyre gjetjeve, shumica e këtyre pensioneve ishin ndarë për pensionet bazë, kompensim për persona të verbër, pensione familjare e kategori të tjera.
Përveç nga të vdekurit, buxheti i shtetit po dëmtohet për miliona euro edhe nga përfituesit e më shumë se një pensioni.
Vetëm gjatë 2021-ës për këto kategori janë shpenzuar mbi 1 milion e 200 euro.
Rastet më të shpeshta të përfitimit të më shumë se një pensioni nga skemat pensionale, janë përfituesit që i takojnë kategorisë së TMK-së dhe FSK-së.
Sipas këtij raporti, janë mbi 2 milionë euro të cilat ministria që udhëhiqet nga Hekuran Murati ka paguar pa asnjë bazë të qartë ligjore për skemat pensionale dhe ato sociale.
T7 ka dërguar pyetje në Ministrinë e Financave, Punës dhe Transfereve që të marrë informacione se pse kanë kryer pagesa të tilla, dhe nëse do të ndërmerret ndonjë masë për kthimin e këtyre mjeteve, por të njëjtit nuk kanë kthyer përgjigje.