Nga, Fatojn Bushi
Me rastin e festave të fundvitit 2021, qeveria u kujdes që ti bëntë dhe një “dhuratë” të fundit industrisë Agropërpunuese në vend. Ajo për vitin 2022 kombinoi dy elemente fiskalë, të cilat do vështirësojnë dhe më shumë ekonominë që varet nga ky sektor i rëndësishem, në jeten e një vendi.
Ndryshimet ligjore të arritura në Projektligjin “Për disa shtesa në ligjin nr.9975, datë 28.7.2008, “Për taksat kombëtare”, të ndryshuar”, konkluduan në:
12.Taksa për qumështin pluhur është në vlerën 100 lekë për kg.
Taksa për pijen e homogjenizuar barista është në vlerën 16 lekë për litër.
Taksa për hirrë qumështi është në vlerën 150 lekë për kg.
Taksa për krem qumështi është në vlerën 150 lekë për litër.
Taksa për karburantin në zonat e lira doganore dhe magazinat doganore, që përdoret për furnizimin e mjeteve lundruese për qëllime turistike dhe argëtim, të përcaktuara sipas ligjit “Për aktivitetet e turizmit detar”, është në vlerën 65 lekë/litri.”.
Industria përpunuese e qumështit, vitet e fundit ka marrë goditje të njëpasnjëshme, të cilat në një afat të shkurtër do arrijnë dhe asgjësimin total të saj.
Udhëzimi nr.3, datë 21.2.2019 “Për disa shtesa dhe ndryshime në udhëzimin nr. 19, datë 3.11.2014, për zbatimin e regjimit të veçantë të skemës së kompensimit të prodhuesve bujqësorë për qëllime të tatimit mbi vlerën e shtuar të ndryshuar”, ishte akti i parë i dramës me fermeret, ku i dha një goditje të rëndë kësaj industrie. Diferencimi i TVSH-së në Blerje dhe në Shitje, bëri që grumbulluesit dhe përpunuesit e qumështit të mos ishin të interesuar që të blinin nga fermeret vendas prodhimet e tyre.
Efektet financiare të humbjes nga kjo skeme irracionale, e orientuan kërkesen e përpunuesve ndaj mënyrave alternative të plotësimit të kërkesave të tyre. Një nga mënyrat ishte dhe interesimi ndaj elementeve të tjerë plotësues ushqimorë, siç është dhe Qumështi Pluhur.
Ndjekja e një politike absurde, ku në njërën anë u hoq subvencionimi direkt i fermerit në masën 10 lekë/kg, dhe në anën tjetër uli normën e kompensimit të TVSH-së nga 20% në 6 %, solli dy pasoja të ndërlidhura:
Referuar të dhënave zyrtare, importi i Qumështit Pluhur u rrit nga 560 Ton në vitin 2016, në 1400 Ton në vitin 2020, pra një rritje me 250 %.
Qumështi i Fresket i prodhuar dhe deklaruar i grumbulluar nga ana e përpunuesve, ra nga 140 mijë Ton në 2019, në 119 mijë Ton në 2020, pra një rënie me 15 %.
Ulja e normës së kompensimit të fermerit nga 6 % në 0 %, do bëjë që këto shifra të shkojnë në përpjestim dhe më të zhdrejtë. Heqja e incentivave financiare, ka bërë që bujqësia dhe blegtoria të jenë opsioni i fundit në planet e punësimit të forcës tonë punëtore.
Emigrimi masiv i ndodhur gjatë viteve të fundit, dhe migrimi i brendshem drejt qyteteve të mëdha, ka zhvendosur fokusin e ekonomisë agrare. Ulja e numrit të fermave të cilat mbarështojnë kafshë për qumësht apo mish, ka bërë që produktet e prodhuara në vend të kenë një rënie drastike.
Secili nga ne si konsumator, e provon çdo ditë se sa e vështirë është të gjesh produkte të freskëta vendi, në industrinë e ushqimit.
Rënia e sasisë së qumështit të fresket vendor ka sjellë mungesë në treg për këtë lëndë të parë. Duhet sqaruar, se Qumështi pluhur përdoret në agroindustri apo industrine e ëmbëlsirave, për të prodhuar produkte, pjesërisht për të përballuar kostot e qumështit të freskët dhe pjesërisht për të mbuluar mungesat/hendekun ndërmjet sezonalitetit të kërkesës nga njëra anë dhe të ofertës së qumështit të freskët (të papërpunuar) në anën tjetër
Referuar të dhënave zyrtare të marra nga Instat, numri i krerëve të lopëvë është ulur nga 358 000 krerë në 2012, në 289 000 krerë në 2020. Ulja me 69 000 të numrit të krerëve ose 20 %, ka ulur dhe prodhimin vendas të qumështit. E njëjta normë rënie vihet re në secilen nga llojet e kafshëve të mbajtura për mbarështim.
Të dhënat statistikore, japin një paraqitje të goditjes që i kanë dhënë sektorit politikat e gabuara fiskale. Rënia e industrisë ushqimore, do afektoje një zinxhir të madh të ekonomisë, e cila në afatshkurtër do ketë pasoja të parikuperueshme.
Ku jemi në raport me vendet e Rajonit?
Krahasimi me vendet e BE-së, të cilët i lakmojmë por nuk dimë të mësojmë prej tyre, do ishtë i pamundur. Në kuader dhe të zhvillimeve të fundit, nën frymën e Open Ballkan, po marrim në analizë aftësinë konkuruese tonën,më shtetin që udhëheq këtë iniciative, Serbinë.
Serbia ka një politike të qartë në financimin e sektorit të bujqësisë. Buxheti për bujqësinë është një burim i sigurt dhe i përhershem i financimit agrar. Financimi i sektorit është projektuar si një mbështetje e unifikuar e dhënë nga shteti për bujqësinë dhe ruajtjen e prodhimit blegtoral. Serbia synon kthimin në aktivitet me rëndësi strategjike të sektorit bujqësor dhe blegtoral.
Vitet e fundit masat e mbështetjes direkte për fermeret në Serbi, janë bërë elementi kryesor i transfertave buxhetore. Mbështetja direkte është bazuar në 3 drejtime:
Pagesat në bazë të prodhimit.
Pagesat për hektar dhe numër kafshe.
Subvencionet e inputeve bujqësore.
Sipas të dhënave zyrtare të institucioneve Serbe, 87 % e transfertave në sektorin e bujqësisë, janë në formën e transfertave direkte në interes të fermereve. Kjo rrit sigurinë e fermerëve vendas, për investimet e kryera në sektor.
Po çfarë lidhje ka kjo me vendin tonë?
Heqja e barrierave doganore, në kuadër të tregtisë së lirë mes vendeve nën projektin Open Ballkan, do bëjë që produktet bujqësore dhe blegtorale Serbe dhe me gjërë, të mbysin tregun tonë. Tregtia e lirë, është një ndër parimet kryesore të ekonomisë së tregut, por secili vend duhet të ketë politika fiskale dhe stimuj në mbrojtje të prodhimit vendas.
Mbrojtja që na mungon nga shteti jonë, dhe që jepet nga shteti Serb, do bëjë që në një kohë jo të largët, “Në këtë vend të mos ketë më as Lopë”.