Dhuna në familje vazhdon të mbetet një nga damkat më të mëdha të shoqërisë kosovare. Çdo ditë në Polici raportohen raste ku gratë dhunohen në forma të ndryshme nga personat të cilët i kanë zgjedhur të ndajnë jetën me ta, por edhe me anëtarët e tjerë të familjes, raporton Gazeta Sinjali.
Ndihmën e Policisë e ka kërkuar mbrëmë edhe një grua nga fshati Pjetërshticë e Shtimes, pasi e njëjta ka deklaruar se është viktimë e dhunës në familje.
Burimet e Gazetës Sinjali kanë bërë me dije se 38-vjeçarja ka deklaruar se i shoqi ushtron vazhdimisht dhunë psikike ndaj saj dhe në konfliktin verbal të mbrëmshëm e ka sulmuar fizikisht duke e kapur për fyti.
Si pasojë e dhunës që përjetoi, viktima kishte dalë nga shtëpia e saj, prej ku kishte shkuar në fshatin Carralevë e më pas ishte paraqitur në stacion policor për të denoncuar rastin.
I dyshuari është shoqëruar në stacion të Policisë, ku është intervistuar nga hetuesit policorë lidhur me rastin.
Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka nxjerrë aktvendim që të dyshuarit t’i caktohet masa e ndalimit policor dhe i njëjti dhe i njëjti do të hetohet nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Dhunë në familje.