Dhuna në familje vazhdon të mbetet një nga damkat më të mëdha të shoqërisë kosovare. Çdo ditë në Polici raportohen raste të grave që përjetojnë dhunë në forma të ndryshme nga personat të cilët i kanë zgjedhur të ndajnë jetën me ta, por edhe nga anëtarët tjerë të familjes.
Ndihmën e Policisë e ka kërkuar mbrëmë edhe një grua nga fshati Novosellë në Pejë, e cila e ka raportuar bashkëshortin e saj.
Sinjali mëson se burri 48-vjeçari po dyshohet se ka ushtruar dhunë psikike ndaj gruas pasi ishte kthyer në shtëpi në gjendje të dehur.
Sipas informacioneve të para, i dyshuari edhe e ka kërcënuar me vrasje gruan, duke i shkaktuar shqetësim e frikë, për çka ajo u detyrua ta denoncojë.
Burimet nga Prokuroria kanë bërë me dije se pas raportimit të rastit, Policia ka arritur që ta arrestojë të dyshuarin.
I njëjti është shoqëruar në stacion policor dhe me urdhër të Prokurorit të Shtetit është dërguar në mbajtje për 48 orë.
Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, i dyshuari është dërguar në mbajtje dhe ndaj tij është iniciuar rasti si “Dhunë në familje”.