Planqori, duket fshat i zakonshëm, por e shenjtë është vepra e një familjeje në këtë vend.
Kjo shtëpi që duket si çerdhe, deri më tani është bërë strehë e 50 fëmijëve pa përkujdesje prindërore.
Shihen vetëm objektet, por e papërshkrueshme është përkujdesja dhe ngrohtësia që gjithë ata fëmijë kanë gjetur nga çifti Dedaj në komunën e Gjakovës.
Bora dhe Zefi vendosën që fëmijët e tyre biologjik t’i bëjnë me dhjetëra motra e vëllezër, ndonëse jo nga gjaku, por nga bashkjetësa.
20 vjet më parë, historia e disa fëmijëve, i bëri që ata të marrin një vendim fisnik. Ata nisën rrugëtimin e tyre si familje strehuese për fëmijë të braktisur dhe fëmijë të keqtrajtuar, përfshirë edhe ata me aftësi të kufizuara.
“Po e mbaj në mend, shumë mirë e mbaj në mend, i kemi pa në televizor këta fëmijë të ndryshëm, të braktisur e të keqtrajtuar, nëpër spitale, aty ka filluar ideja. Jemi paraqitur në Qendrën për Punë Sociale në Gjakovë, i kemi plotësuar disa kushte që duhet me u plotësu dhe kemi filluar menjëherë në strehim me katër fëmijë”, rrëfen Zef Dedaj për emisionin “Shenjë” të lajmi.net
Edhe sot, ani pse kanë kaluar 21 vite, Bora dhe Zefi e kanë të freskët ditën e parë kur përveç katër fëmijëve të tyre iu bashkuan edhe katër të tjerë.
“Fëmijët e parë i kemi pa në televizion shumë të keqtrajtuar ata fëmijë, kanë qenë në spital në Prishtinë dhe ka qenë UNICEF-i dhe kemi shkuar në spital i kemi marrë, ka qenë ditë e diele. I kemi pastru krejt vet ata fëmijë i kemi rregullu dhe i kanë pru të shtëpia. Emocione ka pasur më së pari, sepse ka qenë vështirë me u marrë me fëmijë të keqtrajtuar, veç prej atëherë shumë mirë ka shku puna. Kam marr edhe fëmijë me nevoja të veçanta se kemi kçyr se çfarë komune është përshembull”, vazhdon tregimin Bora Dedaj
Për këtë, të frymëzuar duken të kenë qenë nga familja e madhe që kishte Zefi.
Kjo shtëpi ka rritur shumë fëmijë, megjithëse edhe këtu kemi qenë familje e madhe në këtë truall kemi qenë 30 fëmijë veç te tanët, vllazën, të gjithë kemi qenë bashkë. Kanë qenë të shpërndarë në perëndim, por kur kanë ardh u mbledhshmi u mbushke oborri cpic. Tash janë shpërndarë, kanë shkuar krejt botën e kanë marrë në sy. Tash s’ka fëmijë pak, sa familja jonë gati një klasë e kemi pas. Katër fëmijë unë, katër vëllau tjetër, 3-4 tjetri. 8 vëllezër”.
Dashuria për qëllimin që ia kishin vendosur vetes veçse vinte e bëhej me e madhe. Këtë e tregon edhe numri i fëmijëve të strehuar, ku nga katër numri ishte rritur në 50.
Shtretër, orendi me filma vizatimor, e lodra të ndryshme gjendeshin në dhomat që nuk kishin arritur t’i gëzonin që nga lindja në familjet e tyre.
Këto të mira që i kanë gëzuar në fëmijëri, me kalimin e kohës është dashur të ua lëshojnë fëmijëve të tjerë qe do të vinin në këtë shtëpi.
Koha, përkujdesi e ngrohtësia që ky çift ju ka dhuruar këtyre fëmijëve ka bërë që të krijohet një lidhje shumë e fortë emocionale nga të dyja palët.
Mallëngjimin që kishte pasur pas ndarjes, zonja Borë e tregon me dy vëllezërit të cilët nuk i kishte mbajtur edhe aq gjatë.
Largimi nga krahu që ishin mësuar për tre muaj ishte i vështirë të bëhej.
“Dy vëllezër kanë qenë, shumë më janë dhimbsur ata janë lidhur shumë shumë me mua. Unë nuk isha në gjendje as me flejt pa ta, as me dalë në oborr, as me përgatit bukë, as me prit mysafirë, as kurgjo. Ata me vete kudo që kam shkuar. Unë e vlerësova vetën se nuk jam e thirra qendrën i tregova se qeshtu, gjithqysh duhet me i hjek se shumë janë të lidhur me mua dhe tash kur të kujdesësh për fëmijën që është aq lidhur me ty edhe kur të kthehet më vonë është më rrezik. Duke i mashtruar disi se nuk kishte kush që i dërgon, prapë kur jam takuar me ta nuk kishte asnjë që e largonte nga krahu im, prapë në krahun tim”, tregon Bora.
Ndërsa, Zefi e përshkruan në mënyrë interesante largimin e fëmijëve nga shtëpia që për kohë të gjatë ishin bërë si familje e vërtetë.
“Me të vërtetë ka qenë e vështirë fëmijët e parë, se gjashtë vjet me e marrë fëmijën, kur ka qenë një vjeç dhe bebe tjetra, me bë me i dërgu në shkollë fillore, me ditë me fol fëmija e me të thirr si babë e si nënë është e vështirë, kur jemi nda me ta ka qenë shumë e vështirë. Por, me kalimin e kohës, kemi nisë me u adaptu dhe kanë ardh të tjerë, tjerë kanë shkuar, ka qenë vështirë, por pak më lehtë se tash jemi mësu në atë rrugë”, rrëfen ai.
Prindër biologjik, jo, por edhe më shumë se kaq. Zef dhe Borë Dedaj kujdesen për çdo detaj për fëmijët.
“Unë jam kujdesur shumë për ta, se kishin mujt me i marrë edhe ato sene, me i mbush çantat. Kam shku në shkollë, i kam çu unë vet, kam shkuar te mësuesja, e kam prit mësuesen. Shpesh shkoj i marrë i bie, i kqyri vet. Ua kontrolloj çantën kur shkon në shkollë, kur kthehet. Çdo gjë duhet me e kontrollu se a i ka librat”.
Mosha 18 vjeçare është mosha kur adoleshentët mund të jenë të pavarur. E nga kjo moshë edhe lihen të lirë për të vazhduar jetën si persona të rritur. Por, malli për vendin ku e kanë kaluar fëmijërinë i bën që të kthehen për t’i vizituar njerëzit që i kanë rritur.
Një djalë i cili kishte kaluar andej ishte ndal dhe u kishte bërë një vizitë.
Një djalë ka pas ardhur këtu me bujtë ai ishte kthyer nga një ilake e vete, e kish pas çu me pre dru edhe kishte qenë afër këtu dhe ka ardh. Për me më dasht më kanë dashur shumë”.
Por e njëjta nuk kishte ndodhur edhe me një vajzë e cila nuk i kishte thirrur në dasmën e saj.
“I kanë bë martesat, atëherë s’ka mujt, ai i SOS-it s’ka mujt i ka ardh keq se kemi qenë për ngut se tha kemi pas qef”.
Ani pse prapë Zefi ështe ai që ju shkruan e pyet sesi janë dhe përkujdesët për urimet e ditëlindjeve të fëmijëve të tyre.
Për kundër moshës, të cilën e tregojnë rrudhat në fytyrat e tyre, forcën dhe vullnetin për të vazhduar para e marrin edhe nga komentet e të afërmve.
“Veç më falendërojnë e Zoti të ndihmoftë. Po, falendërime të mëdha na japin, nuk na kqyrin me një sy të keq”.
Në këtë oborr kaq të madh, sikundër e pohojnë edhe vet çifti, më shumë janë dëgjuar zëra, brohorima dhe të qeshura të djemve sesa të vajzave, krejt kjo sepse numri më i madh ishte i djemve të strehuar në këtë shtëpi.
“Më shumë ka pasur djem, djem dhe vajza por djem na kanë ardh më shumë. Po, ka pasur, por nuk na kanë pranuar. Ka pasur momente kur ka ardhur vajzë në strehim, por kemi pasur edhe vajza”.
Të lumtur, nganjëherë ndoshta edhe të lodhur, po në fund të ditës hareja dhe lumturia ka mbizotëruar sikur të ishtë një familje e vërtetë. Me fytyrë të buzëqeshur dukej se Dedajt po i ktheheshin në kujtesë momentet interesante me njërin prej fëmijëve.
“Kam pasur një fëmijë edhe ai ka qenë romë, atë e dojsha shumë, sot kur ia shoh fotot kënaqna. Ai ka qenë hareja e shtëpisë, ai na mbajke shumë të gëzuar. Shumë gjeste të mira, lëvizje të mira, të keshme të mira edhe problem se bëjke i kanë pas hije”.
Përderisa ekziston fuqia, vullneti dhe energjia, Zefi dhe Zonja Borë duket se nuk e kanë ndërmend të ndalen me iniciativën që e kanë filluar para dy dekadave.
Të dy në fund japin mesazhe të fuqishme për gjithë ata të cilët duan të bëhen familje strehuese.
“Kisha jap mesazh të fortë sidomos komunave, ka komuna të forta si Peja po e marrë shembull dhe se ka asnjë familje strehuese, se di se ka pasur prej mas luftës. Kisha dhënë mesazh se me pas sa më shumë familje strehuese, me qenë të përgatitur në çdo rast edhe me pas familje të reja, se ka shumë familje të vjetra strehuese se këto të vjetra tash nuk munden me u largu e ai është mesazhi im. Unë ju kisha thënë sen më mirë nuk ka, sidomos tash kemi mbet pak se na kanë ikur fëmijët nëpër botë, kemi nevojë me i kçyrë”, shprehet Borë Dedaj.
Shtëpia e familjes Dedaj si duket shumë gjatë do të jetë e ngrohtë nga dashuria dhe hareja që ofrohet për fëmijët pa përkujdesje prindërore.