Ishte interesante të shihnim sot deputetin nga Lista ‘GUXO’, Burim Karametan, teksa i ishte zhdukur ‘Kara’ nga mbiemri dhe tash po paraqitej me mbiemër të ri – atë të kompanisë pronare të Facebook-ut e të presidentit të Shqipërisë – Metan.
Kur kryeparalamentari, zotëri Glauk Konjufca delegoi fjalën për deputetin në seancën e sotme, iu drejtua me Burim Meta, për çudinë e disave që po e përcillnin, por jo edhe timen, pasi nuk kisha ide çka po ndodhte në seancë. Me dëgjuese në vesh, në redaksi, po mundohesha të gjeja inspirim për temën e radhës.
Më vonë, u njoftova me zhvillimin dhe m’u delegua detyra të kontaktoja me zotëri Metën. Ky i fundit ishte bashkëpunues dhe konstruktiv gjatë kontaktit, teksa iu drejtova:
“Desha të pyes në lidhje me raportimet e sotit që kishin të bënin me ndryshimin e mbiemrit tuaj. Cila ka qenë arsyeja që ju shtyu të ndryshoni mbiemrin?”
Meta, qartazi jo në dijeni të raportimeve që ia përmenda, më pyeti se çka është raportu “se s’kam arritë me lexu diçka”.
Pasi i dërgova linkun e artikullit ku njoftohet për ndryshimin e mbiemrit të tij, ai elaboroi (përgjigja pa ndërhyrje):
“Ka qenë, vendim familjar, për t’u kthyer në origjinën e familjes. Gjyshi im, me kontribut te theksuar kombëtar ka pasur mbiemrin META. Une jam protagonist i emrave dhe mbiemrave që tingellojne shqip, dhe ja që pas një diskutimi të gjatë familjar edhe vendosëm të heqim “prefiksin” qe ka dmth nga gjuha turke! Eshte kaq e thjeshtë, Burim”.
E falënderova për bashkëpunimin konstruktiv, dhe tash kisha qëllim të futesha në detaje tjera rreth temës gjatë ditëve në vijim.
Mirëpo, me insistencë te kryeredaktorit, i cili qartazi ishte nën presion të kohës për shkak se potencialisht ndonjë medium tjetër do të ndërmerrte hapa në shtjellimin e arsyes pse Meta ndryshoi mbiemrin, u desh ta publikoja sonte.
Sidoqoftë, nga ato pak hulumtime sa mundëm të bëjmë brenda disa minutave, zbuluam se vëllai i zotëri Burimit, Albioni, ende nuk e kishte ndërruar mbiemrin në Facebook, pra, ende e ka “Kara-n” përpara, përkundër se i pari u shpreh se “ishte vendim” që erdhi me “diskutim familjar”.
Por, ej, mos u ngutni të gjykoni. Jo të gjithë e marrin Facebook-un aq seriozisht sa që ta përdorin si platformë të menjëhershme referente për të njoftuar botën se kanë hequr “Kara-n” nga pjesa e parë e emrit të fisit.
Nga turqishtja, “Kara” ka kuptimin e të zezës por në gjuhën shqipe – ose të paktën zhargonin që flasim – përshkruan edhe organin gjenital mashkullor.
Së fundi, Meta ra në spikamë të opinionit publik për qëndrimin e tij kundër bashkësive të regjistruara civile të seksit të njëjtë, që sipas tij, prishnin familjen.