Shpejtim Bulliqi, kryetar i Komunës së Podujevës ka thënë se vizita në Shtetet e Bashkuara të Amerikës është shtyrë me kërkesën e tij, e jo për shkaqe që janë raportuar në media.
Bulliqi ka thënë se ka kërkuar vetë nga Ambasada Amerikane që të shtyhet një takim i tillë, për shkak të agjendës së zënë.
“Aktualisht jemi në vizitë zyrtare në Austri, jemi duke marrë pjesë në ni kuorum të bizneseve dhe unë nuk mund të kthehem në Kosovë dhe kam kërkuar që ky takim të shtyhet”, ka thënë Bulliqi në Tv Dukagjini.
Ai ka bërë të ditur se nuk ka një datë të caktuar për të realizuar takimin, por sipas tij vizita do të bëhet në një “moment të përshtatshëm”.
Por, sipas këtij komunikimi, arsyet që kryetari i Podujevës ua ka kumtuar delegacionit janë se “vizita e delegacionit në SHBA është anuluar shkaku i situatës në veri të Kosovës”.
Por ndryshe ka deklaruar zëdhënësi i komunës së Podujevës, Fatri Zhitia, i cili tha për Sinjalin se vizita është shtyrë me kërkesë të ministrit Elbert Krasniqi.
“Vizita është shtyrë, por nuk është anuluar. Ka qenë e paraparë të mbahet javën e ardhshme por është shtyrë për shkak të zhvillimeve në veri të vendit. Vizita është shtyrë me kërkesë të Ministrisë së Administrimit dhe Pushtetit Lokal. Kryetari ka apliku për vizë amerikane, i është lëshu viza për pesë vjet”, tha Zhitia.