Zëvendëskryeministri dhe Ministri i Punëve të Jashtme të Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, është takuar me Sekretarin amerikan të Shtetit, Antony Blinken.
Pas takimit, Osmani ka thënë se ka qenë nder i veçantë të takohet me sekretarin Blinken
“Falënderim i veçantë për dialogun e shkëlqyer strategjik, që po zhvillohet sot në Uashington nën patronazhin e Stejt Departamentit. Partneriteti strategjik ndërmjet dy vendeve hy në një fazë të re, më dinamike, të miqësisë, ndërkaq raportet bilaterale vendosen në një kornizë të re, më precize për zhvillimin e tyre të mëtejmë”, ka shkruar ai.
Osmani ka theksuar se SHBA-ja mbështet pa mëdyshje integrimin evropian të Maqedonisë së Veriut si një kontribut i rëndësishëm për stabilitetin dhe përparimin e të gjithë rajonit.
“Si aleatë të NATO-s i ndajmë principet dhe vlerat bashkëkohore demokratike dhe e dënojmë agresionin ushtarak rus ndaj Ukrainës”, ka shkruar ai.