Brenda javës në vend janë shënuar tri aksidente me fatalitet, një në natën e ndërrimit të motmoteve, ndërsa, dy të tjera në ditët e para të 2023-së. Ndërkaq, brenda kësaj periudhe kanë ndodhur 148 aksidente me të lënduar.
Sipas raporteve 24 orësh të Policisë së Kosovës, aksidentet me fatalitet kanë ndodhur në Prishtinë, Çagllavicë dhe në rrugën Leposaviq-Mitrovicë, raporton Telegrafi.
“Rr. Fahri Fazliu, Prishtinë 31.12.2022 – 17:15. Në lidhje me rastin është raportuar se viktima mashkull kosovar i cili ka qenë duke u trajtuar në QKUK ka ndërruar jetë, vdekjen e të cilit e ka konstatuar mjeku. Me urdhër të prokurorit trupi i pajetë është dërguar në IML për obduksion”, thuhet në raport.
Ndërsa, po në ditën e parë të vitit sipas raportit të Policisë së Kosovës, janë shënuar 29 aksidente në trafik me të lënduar.
Ndërsa, më 2 janar janë shënuar 26 aksidente trafiku me të lënduar, dhe 48 me dëme materiale.
Po ashtu edhe më 3 janar ka ndodhur një aksident me fatalitet, ndërsa 23 aksidente me të lënduar dhe 43 me dëme materiale.
“Rr. Nacionale Leposaviq-Mitrovicë 02.01.2023-22:15. Është raportuar se automjeti i cili ka rënë në Lumin Ibër, është gjetur dhe tërhequr nga zjarrfikësit ku brenda automjetit ishte dhe viktima mashkull kosovar. Në vendin e ngjarjes, mjeku kujdestar ka konstatuar vdekjen e viktimës”, thuhet në raport.
Gjithashtu, më 4 janar janë shënuar 30 aksidente me të lënduar dhe 48 me dëme materiale.
Më 5 janar ka ndodhur një aksident me fatalitet dhe 18 me të lënduar, ndërsa me dëme materiale 44.
“Fsh. Qagllavicë, Prishtinë 05.01.2023 – 04:40. Ka ndërruar jetë një mashkull kosovar pasi vetura të cilën po e drejtonte ai, ka dalë nga rruga dhe është rrokullisur. Me vendim të prokurorit trupi i pajetë i viktimës është dërguar në IML për autopsi”, bëhet e ditur në raportin 24 orësh të policisë.
Dhe, më 6 janar janë shënuar 22 aksidente me të lënduar dhe 41 me dëme materiale.