Përdorimi i drogës është bërë një dukuri që po vazhdon të rritet dita ditës në Kosovë, pasi pothuajse çdo ditë raportohet për raste kur të rinjtë kapen duke bërë shitblerje ose duke konsumuar drogë, e të shpeshtë janë edhe të miturit, shkruan Gazeta Sinjali.
Sinjali mëson se në 24 orët e fundit janë zbuluar disa raste në rajone të ndryshme të vendit, për çka kanë përfunduar në Polici shumë persona.
Një prej rasteve është zbuluar mbrëmë pas mesnate në fshatin Miradi e Ulët në Fushë Kosovë, pasi një njësi policore që po patrullonte në atë zonë ka ndalur për kontroll një veturë. Gjatë kontrollit, pasagjerit i është gjetur dhe sekuestruar një qese e substancës së dyshuar narkotike të llojit marihuanë. I dyshuari është shoqëruar në stacion policor dhe ndaj tij kanë nisur hetimet për ‘Posedim të paautorizuar të narkotikëve, substancave psikotrope ose analoge’.
Me drogë u kapën edhe dy vetura në fshatin Ramjan, me ç’rast kanë përfunduar në Polici katër persona të moshave 18-22-vjeç. Dy prej të rinjve janë intervistuar në cilësinë e të dyshuarve, ndërsa të tjerët si dëshmitarë të rastit. Atyre iu janë gjetur dhe sekuestruar një sasi e substancës së dyshuar narkotike e llojit marihuanë dhe dy mjete që përdoren për bluarjen e marihuanës. Prokurori ka urdhëruar që ndaj të dyshuarve të iniciohet rasti ‘Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e lëndëve narkotike, substancave psikotrope dhe analoge’.
Kontrollit të Policisë ia pa sherrin edhe një 47-vjeçar në fshatin Smrekonicë të Vushtrrisë. I dyshuari u kap me marihuanë në veturën në të cilën ishte pasagjer. Ai është shoqëruar në stacion policor, ndërsa droga është sekuestruar. I dyshuari do të hetohet në liri për posedim të paautorizuar të narkotikëve.
Edhe më shqetësuese është fakti se përdorues të narkotikëve janë edhe të miturit. Katër persona të moshave 17-19 vjeç janë kapur në flagrancë mbrëmë te parku i qytetit në Pejë. Të dyshuarit posa kishin vërejtur Policinë, dyshohet se kanë hedhur në tokë diçka të dyshimtë, gjë që ka bërë që zyrtarët policorë të reagojnë menjëherë. Atje është gjetur një cigare e mbështjellë me substancë të dyshuar narkotike të llojit marihuanë dhe një qese me narkotikë, të cilat janë sekuestruar. Të dyshuarit janë shoqëruar në stacion policor dhe me urdhër të prokurorit ndaj tyre kanë nisur hetimet nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Posedim i paautorizuar i substancave psikotrope ose analoge’.
Narkotikë iu gjetën edhe dy të rinjve në Gjilan, të cilët janë shoqëruar në stacion të Policisë. Sinjali mëson se gjatë kontrollit të zyrtarëve policorë te të dyshuarit, janë gjetur një qese e mbushur me substancë të dyshuar narkotike të llojit marihuanë. Ata do të hetohen në liri për posedim të narkotikëve.
Në telashe me ligjin përfundoi edhe një 24-vjeçar në Mitrovicë, pasi u kap në flagrancë me marihuanë. I njëjti do të hetohet nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Posedim i paautorizuar i narkotikëve, substancave psikotrope ose analoge’.
E drogë u gjet edhe në rrugën ‘Pandeli Sotiri’ në Vushtrri. Një njësi policore ka hasur në rrugë një pako cigaresh, brenda së cilës ishin fshehur pesë qese me marihuanë. Momentalisht nuk ka persona të dyshuar.
Sipas Kodit Penal të Kosovës, është e jashtëligjshme që qytetarët të blejnë, posedojnë apo shpërndajnë substanca narkotike dhe mund të dënohen me gjobë apo burgim, varësisht nga sasia dhe lloji i lëndës narkotike që iu kapet nga autoritetet e rendit.