Zyrtari i Partisë Demokratike të Kosovës, Ilir Gashi, ka kritikuar shefin e qeverisë Albin Kurti pas njoftimit të kryenegociatorit të qeverisë në Bruksel, Besnik Bislimi, për arritjen në parim të një marrëveshje me Serbinë rreth krizës aktuale në veri.
Palët dialoguese në Bruksel arritën sot në parim një marrëveshje për largimin e bllokadave nga serbët lokalë dhe tërheqjen e Njësisë Speciale të Policisë së Kosovës, si dhe vendosjen e stikerëve në vend të targave nga të dy shtetet, njoftoi kryenegociatori i palës kosovare, Besnik Bislimi.
Por marrëveshjen e paralajmëruar nga Bislimi, e ka konsideruar “si rikthim në veri të Kosovës të rezolutës 1244” përfaqësuesi i Partisë Demokratike të Kosovës në KQZ, Ilir Gashi.
“Bravo z. Kurti 1244 e ktheve në veri pas vitit 2011! Me qet qasje edhe Serbinë dyshoj”, ka thënë Gashi në një shkrim në Facebook.
Zëvendëskryeministri Bislimi, i cili takoi sot në Bruksel kryenegociatorin e palës serbe Petar Petkoviq, ka thënë sot se është arritur një marrëveshje në parim mes palëve për situatën sa i përket targave.
Ai ka thënë se është arritur një draft final e po pritet vetëm miratimi nga pala serbe. Bislimi ka thënë se sipas marrëveshjes, pritet që nga dita e hënë të vendosen stikersat në vend të targave, ndërsa do të caktohet një grup punues për të gjetur zgjidhje të përhershme rreth targave brenda gjashtë muajve.
Po ashtu pritet që Policia e Kosovës të zëvendësohet me KFOR-in në pikat kufitare në Jarinjë e Bërnjak