Pak orë pasi u largua nga pozita e saj si këshilltare në presidencën e Kosovës, Donjeta Miftari është parë me zyrtaren e Lëvizjes Vetëvendosje, Donjeta Mihalin.
Fotografinë e ka publikuar në rrjetin social Instagram deputetja e VV-së nga Lista Guxo, Jeta Statovci.
Sot ajo konfirmoi se është larguar nga kjo pozitë, për shkak të siç tha, ka ardhur koha të “rikthehet në shtëpinë e saj në Londër”.
Përmes një shkrimi në llogarinë e saj, Miftari ka treguar se nga sot nuk do të jetë më këshilltare e presidentes Osmani.
“Pas disa viteve të mrekullueshme duke punuar në vendin tim të lindjes, ka ardhë koha që unë të kthehem në shtëpi në Londër. Faleminderit presidentes inspiruese dhe të jashtëzakonshme.” – ka shkruar ajo në Twitter.
Kush është Dejona Mihali?
Aktivistja e LVV-së nga Shqipëria nuk është shumë emër i njohur për publikun, pasi nuk ka paraqitje në media dhe nuk ushtron asnjë funksion publik në Qeverinë Kurti. Por, ajo është figurë e rëndësishme në LVV, pasi që është anëtare e kryesisë.
Në ueb-faqen zyrtare të Lëvizjes Vetëvendosje jepen shumë pak informacione për rolin e Mihalit, për dallim për disa prej zyrtarëve të tjerë të partisë. Si informacion për publikun është dhënë vetëm pozita e saj si ‘Koordinatore e Komiteteve‘, pozitë kjo të cilën e mban që nga viti 2016. Ndërkaq në ueb-faqen zyrtare të Qendrës së LVV-së në Shqipëri tregohet një biografi e shkurtër për Mihalin, ndonëse prapë pak informacione për angazhimin e saj në LVV.
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Haki Abazi, i cili këtë të enjte u largua nga dy komisione parlamentare, pati disa akuza të rënda për “ngufatje të zërit të deputetëve” dhe demokracisë brenda Grupit Parlamentar të partisë së cilës i takon e quajti Mihalin “masha e kontrollit”.
“Unë e kam iniciuar krijimin e Komisionit për privatizim. Është bllokuar nga Dejona Mihali. Ajo është masha e kontrollit e Grupit Parlamentar të VV-së, duke mbivendosur mbi vullnet e çdo deputeti dhe pa legjitimitet. Mihali nuk ka qenë pjesë e votimeve, nuk ka qenë pjesë e garës së brendshme të VV-së, por është njeriu kryesor që kryeson, menaxhon dhe merr vendime brenda aty”.
Ai në një konferencë për media tha se Mihali e ka nën kontrollë Grupin Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje.
Ishte vera e vitit 2016, kur Policia e Kosovës ndaloi Dejona Mihalin të hynte në Kosovë. Ajo ishte ndaluar në pikën kufitare në Morinë, dhe nuk ishte lejuar që të futej brenda territorit të Kosovës.
Mihali nuk ishte parë në asnjë aktivitet publik në Kosovë të Lëvizjes Vetëvendosje dhe nuk kishte marrë ndonjë funksion publik gjatë Qeverisë Kurti I apo Qeverisë Kurti II.
Dejona Mihali nuk kishte qenë në mesin e kandidatëve për deputetë të kësaj partie politike për deputetë në zgjedhjet e 25 prillit 2021 në Shqipëri. Ajo nuk ka garuar asnjëherë për asnjë funksion publik as në Republikën e Kosovës, për dallim nga kolegët Hysamedin Feraj e Elvis Hoxha.
Anëtarja e Lëvizjes Vetëvendosje në Shqipëri, para pesë muajve i kishte kërcënuar edhe grevistët e arsimit parauniveristarë me pasoja të mëdha.
Në media ishte raportuar se Mihali ka qenë njeriu më i pushtetshëm në grupin prej 7 personave, ku përveç saj përbëhej nga Boiken Abazi, Nazlie Bala, Xhelal Sveçla, Ismajl Kurteshi, Fatmire Kollqaku, Elvis Hoxha.
Shtatë anëtarë të kryesisë së asaj kohe në Vetëvendosje kishin kërkuar mbledhje të jashtëzakonshme, pas një fyerje të raportuar nga Aida Dërguti drejtuar liderit Albin Kurti.
Po ashtu, është raportuar se Mihali këmbënguli për rivendosjen e Kurtit si kryetar të partisë duke e quajtur jodemokratike kërkesën e grupit që po largohej që ai të mos kandidonte për kryetar.