Vendim të drejtë e të pandikuar politikisht, pret për ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që po gjykohen në Hagë, ish-bashkëluftëtari i tyre, Lahi Brahimaj.
Ai beson se ata do të shpallen të pafajshëm si dhe pret kthimin sa më parë të tyre në Kosovë.
Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi ndodhen në qendrën e paraburgimit në Hagë prej nëntorit të vititt 2020. Zyra e Prokurorit të Specializuar i ngrakon ata me krime të pretenduara të luftës.
“Unë shumë besoj që pas shqyrtimit të provave të ofruara nga prokuroria, pastaj nga mbrojtja, Gjykata do të nxjerrë një vendim të drejtë, të pa ndikuar politikisht, dhe unë shumë besoj që bashkëluftëtarët e mi do të shpallen të pafajshëm dhe shumë shpejt besoj se do të kthehen në Kosovë”, tha Brahimaj pwr KosovaPress, i cili ishte përballur vetë me proces gjyqësor, atëherë në Tribunalin e Hagës, prej të cilit kishte dalë i pafajshëm në vitin 2012.