Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës ka reaguar ashpër ndaj shtetit serb, pasi ky i fundit kundërshtoi njohjen e pavarësisë së Republikës së Kosovës, nga Republika e Kenias.
Në një reagim zyrtar, MPJD-ka thotë se Serbia sërish ka zbuluar fytyrën e vërtetë, duke shtuar se po vazhdon të refuzojë përmbushjen e zotimeve të saj, në kuadër të Dialogut.
“Kjo nuk është hera e parë që Serbia i shpërfill hapur zotimet e saj ndaj Bashkimit Evropian. Duke refuzuar njohjen e Kosovës dhe duke shtrembëruar parimet juridike ndërkombëtare, Serbia sfidon hapur detyrimet e saja të përcaktuara me nenet 1–5 të Marrëveshjes për Rrugën drejt Normalizimit, të arritur në kuadër të dialogut të Brukselit. Refuzimi i Serbisë për të zbatuar këto zotime konfirmon edhe më tej mungesën e vullnetit të mirë dhe sinqeritetit në procesin e normalizimit”, thuhet në reagim.
Tutje, MPJD-ja pohon se në deklaratën e saj, Serbia përmend Kartën e OKB-së, Lëvizjen e të Painkuadruarve dhe marrëdhëniet e saj me Kenian për ta paraqitur veten si viktimë.
“Megjithatë, bota e di shumë mirë. Kjo është po e njëjta Serbi nën udhëheqjen e shumë prej të njëjtëve individë që filloi katër luftëra në Ballkan në vitet 90-të, që kreu gjenocid e spastrime etnike në Kroaci, Bosnje dhe Hercegovinë dhe Kosovë. Kjo është e njëjta Serbi që ende i glorifikon kriminelët e dënuar të luftës, të cilët urdhëruan vrasjen masive të civilëve, grave dhe fëmijëve.”