Deputetët e parlamentit europian kanë paralajmëruar se tensionet në Bosnje Hercegovinë mund të bëhen shkak për të rizgjuar konfliktet.
Ky paralajmërim vjen në një kohë, kur PE po debaton rreth planeve të Serbo-Boshnjakut Milorad Dodik – njërit prej tre anëtareve të presidencës me tre nivele të Bosnje Hercegovinës – për të ndarë rajonin e tij nga shteti i Bosnjës.
Dodik ka paralajmëruar se nëse perëndimi do të mundohet të ndërhyjë në planet e tij, ai do të kërkojë ndihmë nga ‘miqtë’ e tij, duke nënkuptuar këtu Rusinë dhe Serbinë.
Prej vitesh, Serbët kanë qenë pro një ndarjeje të mundshme të njëjësisë së tyre administrative apo Republika Srpska-s, nga pjesa tjetër e shtetit boshnjak.
Liberi i serbo-boshnjakëve i ka dhënë jehonë sërish thirrjeve të tilla ditët e fundit, duke lajmëruar planet e tij për të krijuar një ushtri të veçantë, si dhe një autoritet taksues dhe gjyqësor autonom deri në fund të muajit nëntor.
“Kjo dërgon një sinjal vërtetë të gabuar dhe mund të rezultojë sërish në konflikte dhe dhunë ndër-etnike,” – u shpreh ligjbërësi, Andrey Kovatchev.
Komentet e tij u mbështetën edhe nga Pedro Marques, i grupit të social-demokratëve progresivë.
“25 vite pas luftës civile, e cila morri jetën e mbi 100,000 njerëzve, dhe Bosnje Hercegovina është sërish në prag të kolapsit,” – tha ai, duke shtuar se kjo mund të bëhet shkak për një rikthim të dhunës së viteve 90.
Ai i bëri gjithashtu thirrje BE-së që të imponojnë sanksione, nëse do të jetë e mundur, në mënyrë që të ruhet integriteti territorial i Bosnjës.
Më shumë se 100,000 veta u vranë gjatë luftës së Bosnjës në 1992-1995, e cila u shkaktua nga ndarja e ish-Jugosllavisë.
Një marrëveshje paqeje në vitin 1995 e ndau Bosnjën në tre njësi administrative – atë me shumicë serbe, Republika Srpska, atë më shumicë boshnjake dhe federatën kroato-boshnjake.
Në të njëjtën kohë, komisionari i BE, Oliver Varhelyi paralajmëroi liderët boshnjakë se nëse tensionet ekzistuese do të vazhdojnë, kjo do të vë në rrezik funksionimin e institucioneve shtetërore në vend, pasi Bosnja mund të humbasë një numër të madh investimesh që vijnë nga Bashkimi Europian.