Përfaqësuesi i Lartë i BE-së, Josep Borrell, ka thënë se i ka bërë thirrje Kosovës edhe Serbisë që të deeskalohet situata dhe palët të kthehen në procesin e normalizimit.
Borrell tha se duhet të merren hapa vendimtar, teksa shtoi se thelbi i problemit qëndron tek zgjedhjet e reja në veri dhe pjesëmarrja e serbëve të Kosovës në to.
“Sigurisht se presim nga Kosova që t’i pezullojë menjëherë këto operacione në afërsi me objektet komunale në veri dhe katër kryetarët, përkohësisht të tërhiqen nga objektet komunale ndërsa Serbia duhet të sigurojë që protestuesit do të tërhiqen nga objektet komunale, njëkohësisht me forcat policore dhe pastaj të shpallen zgjedhjet e jashtëzakonshme në katër komunat, me kushtin, pjesëmarrjen e serbëve të Kosovës”, tha Borrell.
Tutje, ai kërkoi nga Kosova që pas normalizimit të situatës në terren, pa vonesa të fillohet me hartimin e statutit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.
“Pas kësaj, pasi që situata në terren të normalizohet, atëherë të vazhdojmë punën në dialog. Edhe para ca muajve patëm arritur një marrëveshje themelore në rrugëtimin drejt normalizimit dhe dukej se ishim në një drejtim të mirë për të avancuar në këtë që quhet normalizim i marrëdhënieve, dhe duhet t’i kthehemi implementimit të kësaj marrëveshjeje dhe kjo përfshin edhe fillimin dhe pa vonesa, hartimin e statutit të Asociacionit”.
Tutje, Borrell tha se edhe Kurti edhe Vuçiqi e kuptojnë peshën e situatës, por sipas tij, të dy kanë qasje e pozicione të ndryshme.
“Pas katër orësh takime, dy liderët e kuptojnë peshën e situatës, por që sigurisht që kanë qasje të ndryshme, janë në pozicione të ndryshme dhe interpretime të ndryshme të shkaqeve, por pastaj edhe efekteve, pasojave dhe zgjidhjeve”, tha ai.