Përfaqësuesi i Lartë i BE-së, Josep Borrell është takuar me Sekretarin e Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres me të cilin kanë diskutuar edhe për dialogun në mes të Kosovës dhe Serbisë.
Këtë e kanë konfirmuar nga Bashkimi Evropian, duke thënë se Borrell dhe Guterres kanë folur edhe për normalizimin e raporteve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
“Çështjet tjera të trajtuara gjatë bisedës ishin normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, Procesi i Paqes në Lindjen e Mesme, Etiopia dhe Saheli”, thuhet nga zyra për media e BE-së.
Takimi ka ndodhur më 22 shkurt kur Asambleja e Përgjithshme e OKB-së filloi debatin e saj për një paqe të drejtë dhe të qëndrueshme për Ukrainën, që përkon me shënimin e një viti që kur Rusia filloi luftën e saj të agresionit kundër Ukrainës.
Ndryshe, i dërguari i BE-së për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Mirosllav Lajçak, ka bërë deklarata të forta për takimin e 27 shkurtit në Bruksel.
Ai tha se ky takim ishte domethënës dhe se BE-ja dhe ShBA-ja vareshin nga pikëpamjet që do të shtronin palët.
Lajçak përkujtoi se që nga shtatori kanë biseduar me presidentin serb Vuçiq dhe kryeministrin kosovar Kurti dhe se njëri në janar e tjetri në shkurt kanë thënë se e pranojnë në parim propozimin evropian.
“Tash ka ardhë koha që ata ta pranojnë zyrtarisht edhe publikisht propozimin (planin franko-gjerman) dhe pastaj të diskutojnë zbatimin e tij,” – u shpreh Lajçak për Tanjug, përcjell Kosovo-Online.
Ai u shpreh se nëse të dyja palët do ta refuzonin propozimin, kjo do të dërgonte sinjal negativ se ato nuk janë të gatshme që të normalizojnë marrëdhëniet dhe të ecin rrugës evropiane.
“Të gjithë e dimë se çfarë presim nga takimi, të gjithë e dimë se ku jemi,” – vazhdoi Lajçak.