Shefi i diplomacisë evropian, Josep Borrell e ka mirëpritur vendimin e Gjykatës së Hagës për urdhër-arrestin e lëshuar ndaj presidentit të Rusisë, Vladimir Putin.
Në një komunikatë të publikuar nga Bashkimi Evropian thuhet se Borrell ka deklaruar se kjo është nisje e kërkimit të përgjegjësisë për krimet e luftës dhe krimet e tjera më të rënda, të kryera nga agresioni rus në Ukrainë.
“BE-ja e sheh vendimin e Gjykatës si një fillim të procesit të llogaridhënies dhe mbajtjes së liderëve rusë përgjegjës për krimet dhe mizoritë që ata urdhërojnë, mundësojnë ose kryejnë në Ukrainë. BE-ja shpreh gjithashtu mbështetjen e saj për hetimet nga Prokurori i Gjykatës Penale Ndërkombëtare në Ukrainë dhe bën thirrje për bashkëpunim të plotë nga të gjitha shtetet palë.” – ka thënë Borrell, bëhet e ditur në komunikatën e BE-së.