Bashkëpronari i Chelsea Todd Boehly raportohet se ka hyrë ne dhomën e zhveshjes së ekipit dhe i ka kritikuar për paraqitjen e tyre të turpshme në humbjen nga Brightoni gjatë fundjavës me rezultat 2:1.
Të kaltrit e Londrës të cilët tashmë kanë shkarkuar dy trajnerë, Thomas Tuchel dhe Graham Potter këtë sezon, vazhdojnë të mbesin në gjysmën e fundit të tabelës së Premierligës. Chelsea ka pësuar 12 humbje në ligën angleze këtë sezon, ndërsa ka grumbulluar vetëm 10 fitore, gjithashtu janë në çerekfinalen e Ligës së Kampionëve përballë Real Madridit ndaj të cilëve pësuan humbje 2:0 në ndeshjen e parë.
Pronarët e Chelseat prisnin shumë më tepër pas investimit të mbi 600 milionë eurove në transfere të reja gjatë dy afateve kalimtare dhe me Frank Lampard që është trajner i përkohshëm, bordi i lë në dije lojtarët se situata aktuale është e papranueshme.
The Telegraph raporton se Boehly hyri në dhomën e zhveshjes pas humbjes 2:1 ndaj Brighton në një përpjekje për të përcjellë mesazhin tij. Ai e lejoi Lampardin të përfundonte fjalimin e tij pas ndeshjes dhe i bëri me dije ekipit të tij se ende janë mundësitë për ta përmbysur rezultatin ndaj Real Madridit në Stamford Bridge të martën. Përfundimi i ndeshjes ndaj Brighton pasoi me fishkëllima nga një pjesë e tifozëve të Chelseat drejt ekipit të tyre të zemrës, raporton Nacionale.
Boehly u kritikua nga tifozët pas një tjetër ndeshjeje zhgënjyese pasi që edhe në barazimin ndaj Evertonit e konsideruan si një ‘ndeshje e keqe’ ndërsa tensioni në Londrën perëndimore po rritet brenda dhe jashtë fushës./