Ndërkohë që bota është e fokusuar në pushtimin rus të Ukrainës, tensionet në rritje po kërcënojnë ta ndezin një tjetër konflikt në Ballkanin Përendimor, shkruan mediumi amerikan, Bloomberg.
Acarimi i marrëdhënieve midis Serbisë dhe Kosovës është përshkallëzuar në një nga nivelet më ekstreme që nga përfundimi i luftimeve në Ballkan në vitin 1999.
Kryeministri i Kosovës Albin Kurti po e riafirmon të drejtën e vendit të tij për sovranitet duke kërkuar që serbët që kanë mbetur në shtetin kryesisht etnik-shqiptar pas shpalljes së pavarësisë t’i përmbahen ligjeve të tij.
Serbia dhe aleatët e saj Rusia dhe Kina refuzojnë ta njohin Kosovën në skenën botërore, duke i bllokuar të dyja nga synimi i tyre për t’u bashkuar me BE-në.
Shtytja e Kurtit, në një kohë kur BE, NATO dhe Rusia janë të preokupuara me luftën në Ukrainë, po e prish ngëçrin tejet delikat. Serbët kosovarë reaguan ndaj një vendimi të qeverisë në Prishtinë duke kërkuar që t’i ndërrojnë kartat e identitetit dhe targat e tyre duke ngritur barrikada pranë kufirit, një jehonë e protestave që i paraprinë fillimit të luftës Serbi-Kroaci në vitet 1990.
Në anën tjetër është presidenti serb Aleksandar Vuçiq, i cili është përballur me akuzat e së kaluarës për nxitje të tensioneve etnike. Mirëpo muajin e kaluar ai i bindi serbët e tij që t’i debllokojë bllokadat e rrugëvenë pjesën veriore të Kosovës.
Nën presionin e të dërguarve të SHBA-së dhe Evropës, Vuqiq ndërmori një hap tjetër këtë javë, duke thënë se vendi i tij duhet ta shqyrtojë një propozim të BE-së për t’i normalizuar lidhjet me Kosovën.
Kjo qasje mund ta sigurojë një mënyrë për të zgjidhur një nga problemet më të vështira gjeopolitike të Evropës dhe për ta liruar rajonin në fjalë që të integrohet përfundimisht në BE. Mirëpo Kurti dhe Vuçiq përballen me kundërshtime për të mos bërë koncesione dhe secili prej tyre ka vija të kuqe të cilat tjetri i ka hedhur poshtë.
Ndërkohë që një kompromis mund të jetë ende i mundur, javët dhe muajt e ardhshëm mund të jenë dëshmitarë ku palët do t’i thellojnë edhe më shumë mospajtimet e tyre përtej të cilave nuk mund ta bëjnë asnjë koncesion.