Kryenegociatori i Kosovës në dialogun me Serbinë ka folur për takimin e 4 prillit që e pati me homologun serb Petkoviq.
Bislimi tha se arritën dakordim për një dokument të detajizuar të zbatimit të marrëveshjes, e cila sipas tij do të sekuencohet.
Ai ka shpjeguar se çka nënkuptohet me sekuencim.
“Një dokument të detajizuar të zbatimit andaj si kompromis është bër një dokument njëfaqësh që tregon principet kryesore për zbatimin e dokumentit franko gjerman. Detyra e sekuencimit është e kryenegociatorëve. Principi për sekuencim ka qenë pika e parë dhe më e rëndësishme. Është kërkesë e BE-së që palët në vazhdimësi të ofrojnë diçka në mënyrë që të mos krijohet për shtypja se kemi zbatim të njëanshëm”, deklaroi Bislimi para Komisionit për Punë të Jashtme.
“Nëse palët i njohin dokumentet e njëri-tjetrit është dakordim i dyanshëm. Nëse njëra palë bën një hap, nëse Serbia thotë nuk kërkoj pengesë të anëtarësimit konsiderohet që një hap e ka bërë Serbia. Pastaj nëse Kosova thotë ne dakordohemi për një takim ku grupi i menaxhmentit prezanton një draft si e kanë parapa idenë e themelimit të Asociacionit, konsiderohet si hap që e ka bë Kosova”, tha ai.
Bislimi deklaroi se të dy palët deri në mbyllje të orarit nesër do t’i dërgojnë komentet dhe propozimet te Lajçak e që ai e ka për obligim t’i inkorporojë në propozimin e radhës.
Sa i përket ekipit të përbashkët menaxhues, Bislimi ka thënë që ka një dakordim që ai të jetë i formatit 1+1, megjithatë mbetet të diskutohet për strukturës.
“Pjesa tjetër e diskutimit ka të bëjë me pikën që kërkon themelimin e ekipit të përbashkët monitorues, duhet të vendosim rreth strukturave dhe personave që nominohen. Ka një dakordim që grupi i përbashkët monitorues të jetë i formatit 1+1 që Kosova ka 2, Serbia 2 dhe BE ka 2 përfaqësues. Në takimet kryesore takohen të parët e ekipit, nëse ka diçka më teknike kjo mund të bëhet edhe te personi zëvendësues. Nuk ka dakordim të plotë rreth strukturës. Është qëndrim i Kosovës që do të ishte mirë që personi që përfaqëson Kosovën në ekip monitorues të mos jetë negociator sepse mund të jetë konflikt interesi, i bie që unë të monitoroj punën time. Ka kërkesë nga Serbia që kryenegociatori të jetë personi që përfaqëson Serbinë në ekipin monitorues Kemi mbet të dërgojmë argumentimet, sugjerimet. Zgjidhje mund të jetë që të ketë vendim autonom të vendit se kë ta dërgojë”, ka deklaruar Bislimi.
Sa i përket Konferencës së Donatorëve, Bislimi ka thënë se Kosova e ka nominuar personin e saj.
“Pika e tretë ka të bëjë me caktimin e personave kontaktues që merren me organizimin, koordinimin dhe filtrimin e projekteve për konferencën e donatorëve që pritet të mbahet 150 ditë pas dakordimit të palëve. Ne e kemi nominu personin, Serbia ende nuk ka nominim”.
Rreth tekstit të deklaratës për të pagjetur ka thënë se vërejtja e Kosovës është pranuar nga Serbia teksa për takimin e liderëve ka thënë se mbetet të caktohet një datë.
“Pika e katërt ka të bëjë me dakordimin për dokumentin për personat e zhdukur me dhunë. Teksti publikohet dhe aprovohet nga liderët e radhës. Kemi pas vetëm një vërejtje, ajo është pranu nga delegacioni serb”.
“E pesta ka qenë caktimi i datës për takim të liderëve. Propozimi i Lajçak ka qenë të mbahet më 22 prill, kryeministri ka deklaru gatishmëri por presidenti Serbisë ka thënë se nuk mund të udhëtojë me datën 22”, ka përfunduar Bislimi.