Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, ka deklaruar se shtyrja e zgjedhjeve në veri nuk do të ishte opsion e mirë, pasi sipas tij, shtyrja do ta paraqiste veriun si zonë të menaxhimit të krizave, e jo si proces i normalizimit të raporteve.
Bislimi ka thënë për Zërin e Amerikës të enjten se ka vullnet nga partitë politike për pjesëmarrje në zgjedhje, pos Listës Serbe, që siç u shpreh ai, ky subjekt do ta kamuflojë rënien e besimit.
“Zgjedhjet janë themel i demokracisë dhe në një demokraci të mirëfilltë janë institucionet shtetërore që i vendosin afatet për mbajtjet e tyre. Për zgjedhjet ka vullnet nga partitë që të jenë pjesëmarrëse. Ky vullnet mungon vetëm një subjekt politik dhe do të ishte gabim që vullneti politik i shumicës t’i nënshtrohet interesave joparimore të një subjekti politik. Ne besojmë që deklarimin për mospjesëmarrje në zgjedhje e kanë jo për kalkulime momentale, por duke qenë se kanë parë rënien e besimit, duan ta kamuflojnë përmes ikjes nga mbajtja e zgjedhjeve. Shtyrja s’është opsion i mirë. Është opsion i atyre që mendojnë se në këtë moment më mirë është që veriu të jetë zonë e menaxhimit të krizave, e jo të hyjë në proces të normalizimit të raporteve”, ka thënë ai.
Zgjedhjet për kryetarë të katër komunave veriore pritet të mbahen më 23 prill. Në to nuk do të marrë pjesë Lista Serbe e cila ka udhëhequr me të katër komunat deri më 6 nëntor kur braktisi institucionet lokale e qendrore. Komunat veriore janë pa kryetarë që nga dorëheqja e serbëve në nëntor të vitit të shkuar, pas vendimit të Qeverisë së Kosovës për çështjen e targave ilegale. Zgjedhjet për komunat veriore fillimisht ishte paraparë të mbaheshin në mes të dhjetorit. Atë kohë ato u shtynë për në prill pas kërkesës së bashkësisë ndërkombëtare, në kohën e tensioneve.
Së fundmi, kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, kërkoi shtyrjen e zgjedhjeve.