Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi ka pritur në takim presidentin e Malit të Zi, Milo Gjukanoviq.
Bislimi ka thënë se gjatë takimit me Gjukanoviq ka diskutuar mbi bashkëpunimin e dy qeverive dhe për të lëvizur drejt nënshkrimit të marrëveshjeve ekonomike në të mirë të qytetarëve, mirëqenies së përgjithshme dhe zhvillimit ekonomik të të dyja vendeve.
“E ardhmja e dy shteteve tona është në BE. Përkushtimi ndaj Procesit të Berlinit dhe përmbushjes së agjendës evropiane, janë objektiva tona të përbashkëta. Bashkëpunimi rajonal është një prej mënyrave përmes së cilës konsolidojmë përafrimin e vendeve tona dhe angazhimin pozitiv ndaj fqinjësisë së mirë”, ka shkruar Bislimi në “Facebook”.
Bislimi ka theksuar se Kosova është e përkushtuar në përkrahjen e komunitetit malazez.
“Kosova është e përkushtuar në përkrahjen e komunitetit malazez në Kosovë dhe mirëpret kontributin e rëndësishëm të tyre në zhvillimin e vendit”, shkroi ai.
Theksojmë se Gjukanoviq ka ardhur sot në Kosovë me ftesë të presidentes Vjosa Osmani.
Ai fillimisht është mirëpritur në një ceremoni shtetërore nga e para e vendit, Vjosa Osmani.
Përveç Osmanit, Gjukanoviq është takuar edhe me kryetarin e Kuvendit të Kosovës Glauk Konjufca dhe kryetarin e Komunës së Prishtinës, Përparim Rama.
Gjukanoviq pritet të qendrojë në Kosovë edhe nesër. /Gazeta Papirus/