Zëvendëskryeministri i Kosovës që është edhe kryenegociatori i Kosovës për bisedimet me Serbinë, Besnik Bislimi, është deklaruar pas takimit që pati të mërkurën me kryenegociatorin e Serbisë, Petar Petkoviq në ndërmjetësimin e emisarit special të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.
Bislimi në një lidhje direkte për RTK ka thënë se në takim janë biseduar temat aktuale si dhe temat nga marrëveshja bazike mes dy vendeve.
“Pati një dakordim fillestar që takimi i radhës në nivel të lartë politik të mbahet me 22 prill, por që kjo nuk është edhe aq e sigurt sepse ka indikacione që presidenit i Serbisë nuk është i gatshëm nuk mund të vijë në këtë datë, kështu që jemi duke e shqyrtuar nëj datë tjetër. Ideja është që në këtë datë të prezantohet një draft fillestar i grupit të menaxhmentit, ngase ka pak paqartësi në çështjen procedurale, se kujt duhet drejtuar drafti paraprakisht dhe si duhet të prezantohet.” – ka thënë ai.
“Përndryshe kemi diskutu edhe temat aktuale siç është ajo e energjisë, çështjen e targave,” – ka thënë tutje ai.
Ai ka thënë se Serbia ka kërkuar përsëri që çështja e targave të shtyhet, mirëpo sipas Bislimit kjo çështje nuk mund të shtyhet më.
“Nuk mund të diskutohet as negociohet për targa, por vetëm të zbatohet.” – ka thënë ai.
Krejt në fund të deklarimit, Bislimi ka folur edhe për çështjet e tjera që janë brenda marrëveshjes së arritur në Ohër mes kryeministri, Albin Kurti dhe presidentit serb, Aleksandar Vuçiq.
Ai ka thënë se janë diskutuar hapat të tjerë në sekuencimin e marrëveshjeve bazike, siç është marrëveshja për të pagjeturit, e njohjes reciproke të diplomave, mospengimin e anëtarësimit të Kosovës në organizatat ndërkombëtare nga ana e Serbisë dhe elemente të tjera që kanë të bëjën me marrëveshjen bazike.
Versioni i Serbisë
Ai nuk ka kundërshtuar atë që ka thënë kryenegociatori serb, Petar Petkoviq se gjatë takimit është larguar termi për personat e pagjetur dhe palët janë pajtuar për tekstin e deklaratë së personave të pagjetur.
Sipas Petkoviqit ata janë treguar të kujdeshëm që termi “zhdukjen e dhunshme” të mos përdoret në deklaratën për të pagjeturit.
“Vetëm do të shtoja se kemi pasur kujdes të veçantë për të gjitha termet dhe se nuk e kemi pranuar termin e përmendur në konventën ndërkombëtare për zhdukjen e dhunshme, sepse jemi kujdesur që të mos rrezikojmë interesat e Serbisë. Pas kaq vitesh sot diskutuam për herë të parë hapat më konkretë për formimin e Asociacionit në kuadër të takimit tripalësh. Më saktësisht, çfarë duhet të bëjë ekipi menaxhues e në përputhje me marrëveshjet e vitit 2013 dhe 2015, është e qartë se hapi i parë është prezantimi i statutit.” – ka thënë Petkoviq.
Gjithashtu, ai ka thënë se në takim është folur edhe për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
Takimet tjera
Emisari special i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, fillimisht kishte takuar ndaras dy kryenegociatorë.
Përveç tyre, Lajçak është takuar në Bruksel me këshilltarin e lartë të Departamentit amerikan të shtetit, Derek Chollet.
Chollet ka thënë se me Lajçakun ka biseduar për mbështjetjen për dialogun.
“U kënaqa duke folur me Përfaqësuesin Special të BE-së Miroslav Lajcak për mbështetjen tonë të fortë për dialogun e udhëhequr nga BE-ja ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe përkushtimin e përbashkët për të mbështetur rrugën e Ballkanit Perëndimor drejt integrimit në BE.” – ka shkruar Chollet.