Qeveria e Kosovës, Asociacionin e komunave me shumicë serbe e sheh vetëm si një nga 3 marrëveshjet me Serbinë. Kështu thotë zëvendëskryeministri Besnik Bislimi, raporton Gazeta Express.
Duke iu përgjigjur deputetes së PDK-së, Ariana Musliu – Shoshi, Bislimi tha se kur tjetërkush e sheh këtë marrëveshje ndryshe apo i jep më shumë rëndësi, “vetëm se dëshmon se ka pritje tjera nga ai instrument sesa ato që kanë qenë fryma gjatë negocimit”. Sipas tij, në Kosovë ushqehet kjo temë.
“Për neve e gjithë zhurma që është ngritë rreth Asociacionit është artificiale, ndërkaq kur unë du me e ditë se pse Brukseli merret apo alokon më shumë kohë te Asociacioni sesa te marrëveshjet tjera, përgjigja zakonisht është se ‘ju në Kosovë e bëni të tillë sepse juve në Kosovë ju thonë gazetarët, partitë politike, çka ke me bë me Asociacionin, çka ke me bë me Asociacionin dhe pastaj kjo bëhet temë vetëvetiu’. Do të thotë, ndoshta pa qëllim por ne e ushqejmë temën duke u marrë koti me të”, tha Bislimi.
Ai theksoi se Serbia e ka dyfish më të gjatë sesa Kosova listën e marrëveshjeve të pazbatuara.
Ndërsa deputetja e PDK-së përsëriti dy herë pyetjen nëse Asociacioni i komunave me shumicë serbe është kusht për arritjen e marrëveshjes finale Kosovë-Serbi, Bislimi tha: “Unë e dhashë përgjigjen time”.