Kryenegociatori i Kosovës, Besnik Bislimi në një paraqitje para deputetëve të Komisionit për Punë të Jashtme dha detaje lidhur me takimin e 4 prillit në Bruksel me ndërmjetësin e BE-së për dialogun Miroslav Lajçak dhe me kryenegociatorin serb, Petar Petkoviq.
Bislimi sërish theksoi se pala kosovare dhe ajo serbe janë dakorduar për deklaratën për të pagjeturit dhe se e njëjta pritet të aprovohet në takimin e radhës ndërmjet dy liderëve.
“Pika e katërt që është diskutuar ka të bëjë me dakordimin e palëve për personat e zhdukur me dhunë. Teksti aprovohet dhe publikohet nga liderët në takimin e radhës”, tha zëvendëskryeministri.
Ai bëri të ditur se kanë pasur vetëm një vërejtje në tekst dhe e njëjta është pranuar.
Zëvendëskryeministri bëri të ditur se në takimin e 4 prillit është diskutuar edhe për takimin e radhës ndërmjet kryeministrit Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
Sipas tij, Lajçak ka propozuar që takimi i ardhshëm ndërmjet liderëve të mbahet më 22 prill dhe siç tha Bislimi, kryeministri Albin Kurti ka treguar gatishmëri.
Sipas zëvendëskryeministrit më pas ka ardhur një mesazh që presidenti i Serbisë nuk mund të udhëtojë në këtë datë dhe tashmë ka mbetur të diskutohet datë tjetër.
Numri dy i Qeverisë së Kosovës po ashtu foli rreth idesë së BE-së për sekuencim
Ai tha se kjo është kërkesë e BE-së që sekuencimi të ndjek principin që palët në vazhdimësi të ofrojnë diçka në mënyrë që të mos ketë përshtypje që vetëm njëra palë po jep. /Telegrafi/