Pas 20 vitesh me pronar, Roman Abramovich, Chelsea ka konfirmuar pronarin e ri. Lufta që Rusia nisi në Ukrainë iu kthye në bumerang një prej miqve më të afërt të Putin, Abramovich.
Pas më shumë se dy muaj, Chelsea ka pronar të ri dhe në krye të tyre do të jetë miliarderi amerikan, Todd Boehly, së bashku me Clearlake Capital, Mark Walter dhe Hansjoerg Wyys.
“Klubi i Futbollit Chelsea mund të konfirmojë se kushtet janë rënë dakord për një grup të ri pronësie, të udhëhequr nga Todd Boehly, Clearlake Capital, Mark Walter dhe Hansjoerg Wyss, për të blerë klubin”, thuhet fillimisht në njoftimin e tyre.
“Nga investimi total që do të bëhet, 2.5 miliardë funte do të aplikohen për blerjen e aksioneve në Klub dhe të ardhurat e tilla do të depozitohen në një llogari bankare të ngrirë në Mbretërinë e Bashkuar me synimin për të dhuruar 100 për qind për qëllime bamirësie, siç konfirmohet nga Roman Abramovich. Do të kërkohet miratimi i Qeverisë së Mbretërisë së Bashkuar që të ardhurat të transferohen nga llogaria bankare e ngrirë e MB”.
“Përveç kësaj, pronarët e rinj të propozuar do të deponojnë 1.75 miliardë funte në investime të mëtejshme për të mirën e Klubit. Kjo përfshin investime në Stamford Bridge, Akademi, Ekipin e Grave dhe Kingsmeadow dhe financimin e vazhdueshëm për Fondacionin Chelsea”.
“Shitja pritet të përfundojë në fund të majit, duke iu nënshtruar të gjitha miratimeve të nevojshme rregullatore. Më shumë detaje do të jepen në atë kohë”, thuhet më tej në komunikatë.