Presidenti amerikan Joe Biden ka thënë se qeveria do të bëjë gjithçka që mundet për të ndihmuar zonat qendrore të vendit të shkatërruara nga tornadot.
Biden ka nënshkruar një Deklaratë Federale të Katastrofës Emergjente, duke liruar fonde për Kentakin, shtetin më të prekur.Ai tha se stuhitë ishin ndër më të mëdhatë në historinë e SHBA-së.
“Qeveria federale do të bëjë gjithçka që mund të bëjë për të ndihmuar. Ne do ta kalojmë këtë së bashku”, tha ai.Më shumë se 70 njerëz vdiqën në Kentaki në stuhitë e së premtes mbrëma, duke përfshirë dhjetëra në një fabrikë qirinjsh dhe numri i të vdekurve pritet të rritet mbi 100.
Ekipet e emergjencës po kërkojnë nëpër rrënojat e fabrikës, në qytetin Mayfield, e cila u godit drejtpërdrejt.
Më shumë se 40 njerëz janë shpëtuar nga rreth 110 në fabrikë, por guvernatori i Kentakit Andy Beshear tha se do të ishte një mrekulli nëse dikush tjetër do të gjendej i gjallë.
Kushtet me të cilat përballen autoritetet janë jashtëzakonisht sfiduese, me stacionin e policisë në Mayfield të shkatërruar dhe pajisjet e zjarrfikësve të dëmtuara.Dhjetëra mijëra njerëz në shtet janë gjithashtu pa energji dhe ujë, raporton BBC.
Të paktën 12 njerëz vdiqën pasi tornadot shkaktuan kërdi në shtete të tjera, duke përfshirë gjashtë në një magazinë Amazon në Illinois.Guvernatori Beshear ka shpallur gjendjen e jashtëzakonshme në Kentaki.
Incidente të tjera në Kentaki përfshinin një dalje të trenit nga shinat gjatë erërave ekstreme në Hopkins County.