Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, tha se shteti i tij do të ndërhynte ushtarakisht nëse Kina do ta pushtonte Tajvanin, duke shtuar se barra e mbrojtjes së Tajvanit “është më e fortë” pas pushtimit rus të Ukrainës.
Duke folur gjatë një konference për media në Tokio më 23 maj, Biden tha “po” kur u pyet nëse ai do të përfshihej ushtarakisht për ta mbrojtur Tajvanin, në rast të një pushtimi kinez.
“Ky është zotimi që ne kemi bërë”, shtoi presidenti amerikan.
Tradicionalisht, Uashingtoni ka shmangur që të japë garanci të sigurisë në mënyrë kaq eksplicite për Tajvanin, ishull me të cilin nuk ka më një traktat të mbrojtjes së ndërsjellë, por ruan një politikë të “paqartësisë strategjike” rreth asaj se sa larg do të ishte i gatshëm të shkonte nëse Kina e pushton Tajvanin.
Akti i Raporteve me Tajvanin i vitit 1979, që ka rregulluar raportet e SHBA-së me këtë ishull, nuk kërkon që Shtetet e Bashkuara të ndërhyjnë ushtarakisht për të mbrojtur Tajvanin nëse Kina e pushton, por krijon politikën amerikane që siguron që Tajvani të ketë burime për ta mbrojtur veten dhe për të parandaluar ndonjë ndryshim të njëanshëm të statusit në Tajvan nga Kina.
Deklaratat e Bidenit nxitën reagim të ashpër nga Kina, e cila e konsideron Tajvanin pjesë të saj.
Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme kineze, Wang Wenbin, shprehu “pakënaqësi të fortë dhe kundërshti” ndaj deklaratave të Bidenit.
“Kina nuk ka vend për kompromis apo lëshime për çështje që përfshijnë interesat thelbësore si sovraniteti dhe integriteti territorial”, tha ai.
Ai shtoi se “Kina do të ndërmarrë veprime për të ruajtur sovranitetin dhe interesat e sigurisë”.
Një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë tha se deklaratat e Bidenit nuk paraqesin ndryshim të politikës./REL