Kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiq, i ka konsideruar të pabaza sulmet e opozitës serbe ndaj presidentit Vuçiq ndërsa ka deklaruar se me propozimin evropian nuk ka njohje të Kosovës.
“Lufta e kuazi opozitës nuk është luftë për Kosovën dhe Metohinë, por për pushtet me çdo kusht,” – ka thënë znj. Bërnabiq në fjalën e saj.
Ajo akuzoi opozitën më tej duke thënë se kishin dobësuar pozicionin negociator të Serbisë, ndërkohë që paralajmërimet e tyre kishin dalë të rreme.
“Duan t’i bëjnë njerëzit konfuzë… Kur shikoni se çfarë thonë politikanët në Prishtinë, atëherë e keni plotësisht të qartë se çfarë ka arritur Aleksandër Vuçiq,” – u shpreh më tej kryeministrja serbe.
Ajo ka shtuar se e konsideron si “armë” në duart e Serbisë çështjen e Asociacionit, pasi Prishtina nuk do ta formojë atë.
“Kjo është arma dhe mjeti ynë në duart tona, pasi ata (pala kosovare) nuk do ta formojnë Asociacionin. Dhe meqenëse është pika e parë e rendit të ditës, zbatim nuk ka ende.” – argumentoi kryeministrja serbe.
Ajo përmendi edhe deputetin Haki Abazi, duke e cituar fjalën e tij se “Asociacioni është një lak rreth qafës së Kosovës.
“Ata sot nuk mund t’i shpëtojnë Asociacionit… dhe këtu mund të shihen aftësitë politike të Aleksandër Vuçiqit.” – vazhdoi Bërnabiq.
Në fjalën e saj të gjatë, znj. Bërnabiq akuzoi gjerësisht pushtetet e kaluar se kishin bërë kompromise të dhimbshme për Kosovën, duke e akuzuar specifikisht edhe ish-presidentin serb Boris Tadiq.